Maqedoni
Testi PISA, MASh përgatitje me drejtorët e shkollave
12.04.2018 16:02
Në fund të këtij muaji nxënësit 15-vjeçar të gjimnazeve publike në vend do t’i nënshtrohen testimit ndërkombëtar PISA 2018, në gjuhë, matematikë dhe shkencat natyrore....

Testi PISA duhet të japë përgjigje rreth pyetjes nëse sistemi ynë arsimor po e kryen misionin, theksoi ministrja e Arsimit, Renata Deskoska, në takimin me drejtorët e shkollave, ku u diskutua rreth koordinimit për mbajtjen e këtij testimi me qëllim të eliminimit të të gjithë faktorëve që nuk e japin pasqyrën reale për njohuritë e nxënësve.
“Marrë parasysh se testet e kaluara dëshmuan rezultate të dobëta, u ranguam në fund të listës së bashku me katër vendet e fundit, prandaj po mundohemi t’i motivojmë para së gjithash arsimtarët dhe drejtorët që atë motivim ta bartin tek nxënësit, që seriozisht t’i qasen këtij testimi. Në të kaluarën u dëshmua se nxënësit as nuk kanë arritur deri në fund të testit, sepse e kanë vlerësuar si jorelevant dhe të parëndësishëm, sepse nuk ndikon në suksesin e tyre, prandaj edhe nuk i kanë përfunduar testet”,- theksoi ministrja e Arsimit, Renata Deskovska.
Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi, tha se ka më tepër faktorë që kanë sjellë deri te rezultatet e dobëta, prandaj nevojitet sensibilizim më i madh për të arritur deri te një pasqyrë reale.
“Po i ndërmarrim të gjitha aktivitetet që edhe t’i motivojmë nxënësit mos t’i lënë testet e zbrazura pa u përgjigjur, por edhe me drejtorët dhe përfaqësuesit e shkollave të sensibilizojmë të gjithë aktorët në mënyrë që të organizohemi më mirë dhe ta arrijmë atë pasqyrë reale të aftësive dhe shkathtësive të njohurive gjuhësore matematikore dhe njohuritë që kanë nxënësit në aspekt të shkencave natyrore”,- deklaroi zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi.
Përfaqësuesi i UNICEF-it i pranishëm në debat theksoi se arsimi parashkollor është i lidhur drejtpërdrejt me suksesin në mësim.
“PISA është shprehje e rezultatit të gjithë sistemit arsimor dhe është në lidhje direkte me arsimimin parashkollor në të cilin sa më tepër investoni aq më tepër fitoni rezultate më të mira”,- tha Benxhamin Perks nga UNICEF-i.
Në testin PISA të vitit 2000 dhe 2015, Maqedonia është ranguar në fund të listës prej 72 vendeve, së bashku me Tunisin, Kosovën dhe Algjerinë.
GYLTENE SINANI
