Maqedoni
Bashkëpunimi ndërkufitar, 30 komuna formojnë Asociacionin e komunave
12.04.2018 16:26
Në sajë të bashkëpunimit ndërkufitar dhe themelimit të Asociacionit të komunave ndërkufitare...

Në sajë të bashkëpunimit ndërkufitar dhe themelimit të Asociacionit të komunave ndërkufitare, Kumanova sot ishte nikoqire e kryetarëve të 30 komunave nga Maqedonia dhe Bullgaria. Bëhet fjalë për një iniciativë të iniciuar nga eurodeputetët bullgarë dhe kryetari i qytetit bullgar, Qustendil, për bashkëpunim ndërkufitar në të gjitha sferat e jetës, me çka kryesisht do të përfitonin bizneset dhe ekonomia në përgjithësi.
“Përmes implementimit të projekteve të përbashkëta mes dy vendeve tashmë janë krijuar relacione, jo vetëm ndërmjet pushteteve lokale, por edhe midis administratës, sektorit civil dhe qytetarëve në përgjithësi. Falë vënies së partneritetit dhe shkëmbimit të përvojave, programi për bashkëpunim ndërkufitar midis Maqedonisë dhe Bullgarisë është mjaft i suksesshëm me mbi 95 për qind realizim”,- tha ndër të tjera zëvendësministri i Pushtetit Lokal, Dejan Pavlevski.
“Duke iu falënderuar eurodeputetëve nga Bullgaria fqinje, mbajtëm takim në Qustendil në fund të vitit të kaluar. Biseduam se si ta thellojmë bashkëpunimin tonë, me ç’rast sollëm konkluzë për themelimin e Asociacionit të komunave të rajoneve ndërkufitare midis Maqedonisë dhe Bullgarisë”,- nënvizoi kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Me themelimin e këtij Asociacioni komunash, mëtohet thithja e fondeve të ndryshme evropiane të IPA programit për bashkëpunim ndërkufitar.
NEXHAT AQIFI
