Maqedoni
Rasti “Mitmarrja”, Zaev: Për 2 vjet, më përgjuan 10 mijë herë
12.04.2018 16:48
As në këtë gjykim të radhës së rastit ‘Mitmarrja”, ku i dyshuari kryesor është kryeministri Zoran Zaev, nuk u lëshua video-incizimi në bazë të të cilit është ngritur rasti...

Pritet vendimi i Gjykatës së Apelit, nëse gjatë prezantimit të videos në seancë, duhet të jenë të pranishëm mediat. Për rreth një orë, u dëgjuan vetëm bisedat telefonike, të cilat gjithashtu u dëgjuan jashtë veshëve të opinionit dhe mediave.
Zaev, në rastin Mitmarrje, akuzohet se si kryetar i komunës së Strumicës, ka kërkuar rreth 160 mijë euro ryshfet nga biznesmeni Ivan Nikollov Saçavaliev, për legalizimin e një toke ndërtimore. Zaev është përgjuar dy vite rresht, por ai këmbëngul se nuk ka asnjë provë akuzuese në rreth 10 mijë përgjimet që i janë bërë, përveç bisedave normale mes një kryetari komune me qytetarët e tij.
“E di që me masat PI, jam përgjuar diçka më shumë se dy vite, e sipas njohurive të mia, e di se në pajtim me ligjin edhe për terrorizëm por edhe për vepra të rënda penale, koha më e gjatë në të cilën mund të përgjohet i dyshuari, është nga 3 muaj deri në një vit. Nuk ka asgjë e cila mund të më trembë, në bisedat e përgjuara për këtë rast. Bëhet fjalë për rreth 10 mijë biseda, që janë përgjuar në kuadër të masave PI, apo jashtë tyre”,- deklaroi i dyshuari në rastin “Mitmarrja”, Zoran Zaev.
