Maqedoni
Përkrahje gjermane për eurointegrimin e RM-së
12.04.2018 18:16
Pak ditë para publikimit të raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë...

Pak ditë para publikimit të raportit të Komisionit Europian për Maqedoninë, parlamentarët gjermanë në Shkup rikujtuan se Gjermania është mbështetësi kryesor i Maqedonisë për anëtarësimin në BE, por sipas kryetarit të Komisionit për çështje evropiane në Bundestagun gjerman, Gunter Kruhbaum, reformat duhet të përfundojnë dhe zgjidhja e emrit me Greqinë duhet të zgjidhet sa më shpejtë.
“Maqedonia është në rrugën e duhur për anëtarësim në BE, por së pari ka një çështje që duhet të mbyllet, mosmarrëveshja e emrit midis vendit tuaj dhe Greqisë. Unë besoj se bisedimet po shkojnë në një drejtim të mirë. Kjo është diçka që ne dëshirojmë që vendi të zgjidhë këtë çështje, sepse do t'i lëvizë gjërat drejt drejtimit tjetër, anëtarësimit në NATO dhe BE. Unë mund t'ju siguroj se në rrugën drejt Bashkimit Europian Maqedonia do të ketë partneritetin tonë dhe mbështetjen tonë”,- tha kryetari i Komisionit për çështje europiane në Bundestagun gjerman, Gunter Kruhbaum.
Komisioni për Çështje Europiane pret një rekomandim të pastër më 17 prill dhe mbështetje nga Gjermania për fillimin e negociatave.
“Vizita e kolegëve tanë, deputetëve të Bundestagut gjerman, është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe vijnë në kohë të duhur për Maqedoninë, disa ditë para shpalljes së Raportit të progresit për përparimin e Maqedonisë, ku ne presim të marrim rekomandimin e pastër për fillim të negociatave me BE-në dhe shpresoj që gjatë këtij viti të marrim edhe datën për të filluar negociatat për anëtarësimin e vendit tonë”,- theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Europiane në Kuvend, Artan Grubi.
Maqedonia ka një perspektivë të qartë europiane dhe zgjerimi me vendet e Ballkanit Perëndimor do të kontribuojë së bashku për t'u përgatitur mirë për sfidat e globalizimit botëror, thonë parlamentarët gjermanë.
BESIM ABDULLAI
