Botë
Turqi, prokurorët urdhërojnë arrestimin e 70 oficerëve
13.04.2018 10:00
Prokurorët në Turqi kanë urdhëruar arrestimin e 70 oficerëve të ushtrisë, që dyshohet se kanë lidhje me Fethullah Gulenin...

Prokurorët në Turqi kanë urdhëruar arrestimin e 70 oficerëve të ushtrisë, që dyshohet se kanë lidhje me Fethullah Gulenin, të cilin Ankaraja e akuzon se qëndron prapa tentimit për grusht-shtet në vitin 2016. Policia turke ka kryer operacione në 34 provinca në mbarë vendin, ka raportuar e përditshmja turke “Milliyet”. Sipas këtij informacioni, të dyshuarit janë vënë në shënjestër pas deklaratave të ushtarëve që janë arrestuar më parë. Zyrtarët ushtarakë të arrestuar në operacionet e fundit thuhet se bëjnë pjesë në lëvizjen “Hizmet” të Gulenit.
Ndërkohë, një gjykatë në Stamboll vendosi masën e paraburgimit ndaj gjashtë shtetasve turq që u deportuan nga Kosova, ndërsa prokuroria ngriti ndaj tyre akuzat e “udhëheqjes së organizatës terroriste” dhe “spiunazh ndërkombëtar”. Zyra për të drejtat e njeriut e OKB-së ka thënë se autoritetet turke kanë arrestuar 160 mijë njerëz dhe kanë larguar nga puna pothuajse të njëjtin numër të nëpunësve civilë pas puçit të dështuar të korrikut të vitit 2016.
