Maqedoni
Gruevski, inspekton punimet për autostradën e Shtipit
23.07.2014 18:09
Brenda 5 muajve punë, është depërtuar 43 për qind e autostradës Miladinovci-Shën Nikollë–Shtip...
Brenda 5 muajve punë, është depërtuar 43 për qind e autostradës Miladinovci-Shën Nikollë–Shtip.
Kryeministri, Nikolla Gruevski, tha se deri më tani depërtimi i pjesës së autostradës që përfshin edhe zonën e Konjares, po zhvillohet mirë, ndërsa pjesën më të madhe të punës ndërtimore e kryejnë kompanitë vendase. Pritet që realizimi i investimit prej 208 milion euro, për ndërtimin e 47 kilometrave autostradë, të sigurojë shumë vende të reja pune.
“Janë angazhuar rreth 250 punëtorë, në terren janë 136 makina të ndërtimtarisë. Deri në fund të gushtit, numri i makinave ndërtimore do të dyfishohet, çka do të thotë se dukshëm do të rritet numri i të punësuarve”- deklaroi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Drejtori i NP-së për rrugë shtetërore, Lupço Georgievski, thotë se ky projekt pritet të përfundojë brenda 3 viteve.
“Nga gjithsej 47 kilometra, janë depërtuar 43 për qind ose 20 kilometra punime të tokës. Më pas, vijon zgjerimi i autostradës që duhet të jetë me gjerësi prej 28 metra. Në këtë rrugë ka gjashtë pjesë, duke filluar nga Milladinovci, i cili bashkohet te rafineria e autostradës “Milladinovci” dhe përmes Shën Nikollës, me dy kryqëzime arrin para hyrjes së Shtipit”- deklaroi drejtori i NP-së për Rrugë Shtetërore, Lupço Georgievski.
Autoritetet lokale dhe fshatrat përreth autostradës, presin që ky investim të sjellë zhvillim ekonomik dhe investime të reja, por edhe rritje të çmimit të tokës dhe pasurive të patundshme. Kjo është e vetmja autostradë në Maqedoni, ku vozitësit do të mund të ngasin makinat deri në 130 km në orë.
SANIJE KASAMI
