Botë

Shefi i CIA-s paralajmëron Moskën: I japim fund politikës së butë me Rusinë

13.04.2018 12:46

Drejtori i CIA, Mike Pompeo, ka deklaruar se do t’i japë fund politikës së butë me Rusinë, edhe pse e ka lënë të hapur mundësinë për dialog...

Në një dëshmi me shkrim të dorëzuar përpara seancës konfirmuese për postin që do të mbajë si sekretar i shtetit, Pompeo shkruan:“Rusia vazhdon të veprojë në mënyrë agresive dhe kjo është mundësuar nga politikat e buta kundër këtij agresioni për vite me radhë. Veprimet e kësaj administrate e kanë bërë të qartë se strategjia për siguri kombëtare e presidentit Trump, me të drejtë e ka identifikuar Rusinë si rrezik për shtetin tone. Përpjekjet tona diplomatike me Rusinë do të jenë sfiduese, por duhet të vazhdojnë.” 
 
Pompeo, në dëshminë e tij nuk i referohet ndërhyrjes ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, por kjo çështje pritet të ngrihet nga ligjvënësit. Sa i takon veprimeve që do të ndërmerren në Siri, Shtetet e Bashkuara thonë se të gjitha mundësitë janë në tryezë.
 
Shtëpia e Bardhë gjithsesi thotë se një vendim përfundimtar për një aksion të tillë nuk është marrë ende, por shtoi se Amerika bën Rusinë dhe Sirinë përgjegjëse për incidentin. Këshilli i Sigurimit i OKB-së pritet të mblidhet mbi ngjarjen, ndërsa kryeministrja britanike, Theresa May, thirri me urgjencë një mbledhje të kabinetit.
 
MIGENA GORENCA