Botë

Onak konfirmon: Skripal u sulmua me agjent nervor

13.04.2018 13:09

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka konfirmuar analizat britanike mbi tipin e agjentit nervor të përdorur në sulmin ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal...

Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike ka konfirmuar analizat britanike mbi tipin e agjentit nervor të përdorur në sulmin ndaj ish-agjentit rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia, në Salisbury më 4 mars. Raporti nuk e identifikon agjentin nervor me emrin “Novichok”, por ka konfirmuar përbërjen e tij kimike.

Testimi u krye nga katër laboratorë sipas kërkesës së Britanisë së Madhe. Mbikëqyrësi i ekspertëve bëri të ditur se ai karakterizohej nga një cilësi shumë e lartë.

Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Boris Johnson reagoi menjëherë pas publikimit të raportit duke thënë se nuk ka më asnjë dyshim të përgjegjësisë ruse për incidentin. Moska vazhdimisht ka mohuar çdo përfshirje në helmimin e Skripalëve.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitri Peskov, tha se Britania duhet ti kërkojë falje Rusisë për “akuzat e çmendura” ndaj saj. Organizata për ndalimin e armëve kimike do të mbajë një sesion të posaçëm për incidentin, të mërkurën e ardhshme.