Maqedoni
Vrasja e tre policëve në Haraçinë, pas 18 vitesh lirohen të akuzuarit
13.04.2018 15:45
Pas 18 viteve procese gjyqësore lidhur me vrasjen e tre policëve, që ndodhi në vitin 2000...

Pas 18 viteve procese gjyqësore lidhur me vrasjen e tre policëve, që ndodhi në vitin 2000, në hyrje të fshatin Haraçinë, të akuzuarit për vrasjen e tre policëve në vitin 2000 u liruan tërësisht nga akuzat.
Gjykatësja, Lidija Zimbovska, tha se nuk ka gjetur asnjë provë e cila i lidh ata me vrasjen e tre policëve. Të liruarit nga akuza, Lirim Dinarica dhe Emrulla Emrullahi, thanë se 18 vite kanë jetuar me stres dhe brengosje, duke pritur që ta dëshmojnë pafajësinë e tyre. Sipas tyre, edhe ky është një rast i montuar nga ana e shtetit.
“Ka 18 vite që unë këtë vendim e kam pritur, sepse e kam ditur që nuk kanë asnjëfarë fakti kundër nesh, por në shtetin tonë të quajtur Maqedoni, kemi shumë raste si rasti im, që shqiptarët vuajnë nëpër burgje. Më vjen mirë që ne u liruam sot dhe shpresoj që të gjithë të pafajshmit të lirohen. Ka qenë stresuese si për mua, si për familjen, por nuk të pyet askush. Asnjëherë nuk është gjetur as droga e as arma, kështu që po them Lirim Dinarica as dënim nuk ka të paguar në këtë shtet, e lëre më ndonjë vepër kriminale”,- deklaroi ish i akuzuari, Lirim Dinarica.
“19 vjeçarë kemi qenë atë kohë dhe kemi qenë në një disko, kanë ardhur dhe kanë argumente dhe dëshmitarë krejt këta që ne nuk e kemi bërë këtë vepër, por na i ka montuar shteti, ashtu siç ka dashur vet. Tmerr ka qenë ajo për ne, sepse për një vepër që nuk e kryen dhe të akuzohesh nga shteti është problem”,- tha ish i akuzuari, Emrulla Emrullai.
Në vitin 2000 në fshatin e Haraçinës u vranë tre policët, Eroll Gotak, Kiril Petrushevski dhe Aco Angellovski. Të akuzuar për këtë vepër ishin Lirim Dinarica, Bajram Muça, Ramiz Hasani dhe Emrulla Emrullahu. Por, me vërtetimin e pafajësisë së tyre, Emurlla Emurllai dhe Lirim Dinarica, do të gëzojnë lirinë e plotë, ndërsa Bajram Muça dhe Ramiz Asani gjenden në burg për një vepër tjetër penale.
ERSAN PAJAZITI
