Maqedoni

Gjykata Penale me orar të ngjeshur për seancën “Transportuesi”, “TNT” dhe “Tenderët”

13.04.2018 16:47

Edhe pse ish ministrja e kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, insistoi që të largohen mediat teksa...

Edhe pse ish ministrja e kulturës, Elizabeta Kançevska Milevska, insistoi që të largohen mediat teksa lëshohen bisedat e përgjuara në rastin “Tenderët”, gjykata refuzoi mbrojtjen dhe i lëshoi bisedat e përgjuara në sy të publikut. Në sallën e gjykatës u dëgjuan pesë biseda të përgjuara lidhur me manipulimin e Kançevskës me tender për ndërtimin e muzeut të VMRO-së.
 
Në bisedën e parë të përgjuar dëgjohen zërat e ish ministres me ish ministrin e transportit, Mile Janakievskin, dhe ai i drejtorit të Kompanisë ndërtimore “Beton-Shtip”, Ilija Prestillskit, i cili është edhe dëshmitar kundër Milevskës. Kançevska dëgjohet duke u treguar Prestillskit dhe Janakievskit se nesër do të hapet tender dhe gjithçka është kurdisur në mënyrë që atë ta fitojë “Betoni”. Kançevska dëgjohet duke i thënë drejtorit të kompanisë ndërtimore që të vazhdojë me punimet pa ndërprerje dhe i ka treguar se ia ka transferuar në deri më 49 milion denarë në llogari. “Zhvilloni punimet sikurse të jetë gjithçka në rregull”, dëgjohet duke i thënë Kançevka drejtorit Prestillski.
 
Në bisedën e dytë mes Kançevskës dhe Janakievskit, ajo i rrëfehet se nuk ka para për t’i paguar firmat dhe ia kujton se duhet t’i sigurohen këto mjete me rebalancin e buxhetit, ndërsa Janakievski i thotë Kançevkës “t’i shesim rrobat e tua për të paguar firmat”.
 
Në bisedën e fundit dëgjohet Gordana Jankullovska me Kançevkën, teksa merren vesh se çfarë të bëjnë pas një kontrolli të paralajmëruar të SPB - Manastir. Kançevska i kërkon Jankullovskës që ta kontrollojë një person me emrin Nikollçe Cvetanovski, që është interesuar për tenderin në muzeun e VMRO-së, ndërsa Jankullovska dëgjohet teksa e këshillon që të mos ia japë dokumentacionet, ta shtyjë konfrontimin me arsyetim se duhet kohë për t’i mbledhur të gjithë dokumentacionet. Në procesin gjyqësor për rastin “Transportuesi”, ku akuzohet ish kryetari i komunës së Manastirit, Vladimir Taevski, u kërkua përjashtim i Këshillit Gjyqësor, si i kryetarëve të Gjykatës Penale dhe i asaj të Apelit.
 
Një kërkesë të tillë avokati Dangov ka parashtruar 15 minuta para se të fillojë seanca gjyqësore. Në këtë rast Taleski së bashku me 22 persona të tjerë dyshohen se përmes tenderëve të korruptuar të udhëtimit shkollor kanë keqpërdorur buxhetin për 360.000 euro. Rasti “TNT”, që ka të bëjë me rrënimin e Kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe kryetarit të Partisë për Ardhmëri Evropiane, Fiat Canovski, është anuluar me arsyetimin se akoma nuk ka vendim lidhur me kërkesën për përjashtim të gjykatësve. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU