Maqedoni
MPPS: Nuk do të ketë rritje të moshës për pensionim. VMRO-DPMNE: Caroska deri tani nuk realizoi asnjë projekt
13.04.2018 17:12
Qeveria nuk parasheh rritjen e moshës për pensionim, ka deklaruar ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Milla Carovska...

Ajo sqaroi se aktualisht po kryhen analiza në bashkëpunim me Bankën Botërore për përmirësimin e gjendjes së Fondit Pensional dhe Sigurimit Invalidor, pasi, siç tha ajo, qeveria e kaluar e ka rritur borxhin për tre herë.
“Pensionet për momentin janë stabile dhe të sigurta, ne nuk interesohemi vetëm për pensionistët e tanishëm, por edhe për të ardhmit. Qeveria e VMRO-DPMNE-së tre herë e ka rritur borxhin në fond, prandaj dhe po punojmë për zgjidhjen e këtij problemi”,- deklaroi Milla Carovska nga MPPS.
Por, nga VMRO-DPMNE vlerësuan se gjatë kohës që Carovska kryeson këtë ministri nuk ka realizuar asnjë projekt të rëndësishëm për qytetarët.
“Prej 10 muajsh që kur Carovska është në krye të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, nuk është realizuar asnjë projekt i dobishëm për qytetarët. Vetëm skandale, papërgjegjësi dhe moskujdes”,- theksojnë nga VMRO-DPNME.
Ministrja Carovska si të arritura në punën e saj përmendi zgjidhjen e problemit të 4535 personave të ndërmarrjeve të falimentuara, mes tjerash ajo përmendi se 90 mijë persona që kanë marrë paga më të ulëta se minimalja, tani marrin paga më të larta, 138 punësime në Qendrat për Punë Sociale si dhe 486 punësime në çerdhe. Po ashtu ajo tha se në përgatitje e sipër është Ligji i ri për mbrojtje sociale, për të cilin do të ketë diskutim publik në muajin maj.
FLORIJE BELULI KAMBERI
