Maqedoni
Plani “3-6-9”, Osmani: kemi realizuar 90% të planit, BE e mahnitur
13.04.2018 17:23
Qeveria konsideron se pas organizimit dhe mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe zbatimit të Planit “3-6-9” vendi është rikthyer në rrugën euroatlantike...

Zëvendëskryeministri për çështje europiane, Bujar Osmani, kumtoi se plani është realizuar mbi 90%. Nga 103 masa, disa masa nuk janë realizuar kryesisht për shkak të nevojës për konsultime shtesë me KE-në, konsultime me opozitën apo për shkak se gjatë debatit publik është kërkuar që të ndryshohen tekstet e këtyre ligjeve.
“Plani ka realizime me mbi 90% të masave të cilat ishin paraparë për këtë periudhë. Kishim pritje se do të jetë 95-99%, por për shkak se dje në Parlament disa prej ligjeve u anuluan për shkak të kërkesës së opozitës për konsulta shtesë edhe pse dua të shfrytëzoj rastin të vlerësojë rikthimin e opozitës në Parlament dhe votimin e ligjeve që kërkojnë dy të tretat, për shkak se nga fillimi kemi kërkuar konsensus shoqëror”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Zbatimi i planit është çmuar nga përfaqësuesit e lartë të BE-së, që, sipas Osmanit, paraqet paralajmërim për raport pa kushte, mjafton që vendi të mos bëjë gabime në ndërkohë.
“Ajo që mund t’u kumtoj juve këtu është se me konsensus nga të gjithë bashkëbiseduesit e mi u shprehën se Maqedonia në 9 muajt e fundit ka realizuar një agjendë agresive produktive të reformave dhe është rikthyer në rrugën e vet euroatlantike. Ajo që më la përshtypje ishte një konstatim se përshtypja te njerëzit e BE-së është se sikur bëhet fjalë për një shtet tjetër”,- tha zëvendëskryeministri, Bujar Osmani.
Pjesë e masave të Planit “3-6-9” është edhe miratimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Sipas Osmanit, kjo konsiderohet çështje e mbyllur. “Z. Ivanov nuk ka qenë konstruktiv gjatë këtij procesi. Mirëpo teket e tij nuk do të pengojnë proceset e rëndësishme për vendin”,- tha ai dhe ftoi presidentin Ivanov që në këto muaj të fundit të mandatit të tij të luaj rolin e faktorit koheziv dhe të dekretojë ligjin. Në të kundërtën do të shfrytëzohen mekanizma të tjerë dhe ky ligj do të shpallet dhe do të vihet në zbatim.
SHPËTIM NUREDINI
