Maqedoni
Ahmeti takoi ambasadorin Timonie
13.04.2018 17:57
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka takuar ambasadorin e Francës në Shkup, Kristian Timonie...

Siç bëjnë të ditur nga BDI, Ahmeti dhe Timonie kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend e rajon, reformat, negociatat për emrin si dhe integrimin në NATO dhe BE.
Ahmeti u shpreh i kënaqur nga mbarëvajtja e reformave sistemore në vend, por theksoi që ka akoma shumë punë për të bërë në drejtim të sundimit të së drejtës dhe ligjit, luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Gjithashtu, kryetari i BDI-së, Ahmeti, është shprehur i inkurajuar nga zhvillimi i negociatave në lidhje me çështjen e emrit dhe përafrimin midis Shkupit dhe Athinës, me ç’rast ndihma nga Franca është e nevojshme dhe e mirëseardhur për ta përmbyllur këtë kontest. Këto zhvillime duhet të sigurojnë rekomandim të plotë dhe të pastër për nisje të negociatave me Bashkimin Europian më 17 prill si dhe datë për fillim të procesit aderues në BE.
Ahmeti elaboroi edhe rreth zhvillimeve për shpalljen e dekretit për Ligjin për Gjuhët, duke nënvizuar pritjen që Ivanov të japë kontributin e vet dhe ta vë firmën mbi rrumbullakimin e pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit.
