Maqedoni
ASHAA: Si të ndalohet gjuha e urrejtjes në media
23.07.2014 18:18
Agjencia për Media Audio dhe Audio-vizuale, ka miratuar sot metodologjinë për kryerjen e mbikëqyrjes programore...

Agjencia për Media Audio dhe Audio-vizuale, ka miratuar sot metodologjinë për kryerjen e mbikëqyrjes programore.
Anëtarët e Agjencisë, shprehën shqetësimin e tyre për atë që ende ky trup nuk mundet drejtpërdrejtë të konstatojë nëse një medium ka përdorur gjuhë të urrejtjes apo shkelje të tjera penale, por se kjo ende mbetet në duart e Prokurorisë.
“Do të përqendrohem vetëm në dy nene, në nenin 48 thuhet se shërbimet mediale nuk do të përmbajnë programe, me të cilat rrezikohet siguria nacionale, rendi kushtetues dhe me të cilat nxitet ose shpërndahet diskriminim, mosdurim ose urrejtje në bazë të racës, gjinisë, fesë e kështu me radhë. Unë e di se këto janë vepra penale dhe dënohen sipas Kodit Penal. Më intereson nëse thirrjen publike për të gjithë këto shkelje, duhet ta iniciojë Agjencia me vetiniciativë, ta monitorojë dhe më pas ta dërgojë në Prokurorinë Publike, që më pas të procesohet, ose vetëm mjaftohet me thirrjen e bërë nga ana e institucioneve shtetërore”- deklaroi Zoran Fidanov nga Agjencia për Media.
“Neni 48 i Ligjit për media, thotë se: nëse ekzistojnë elemente të caktuara të gjuhës së urrejtjes në media, të vërtetuara nga mbikëqyrja e rregullt ose e jashtëzakonshme, ose përmes paraqitjes së ndonjë qytetari, anëtari të Këshillit ose Shërbimeve, duhet njoftuar Prokuroria Publike, që të veprojë sipas Kodit Penal dhe kjo do të jetë praktikë edhe në të ardhmen. Por, vitet e fundit, Këshilli ngriti procedurë vetëm një herë ndaj Kanal 5 dhe atë procedurë Këshilli e humbi”- theksoi Zoran Trajçevski nga Agjencia për Media.
“Ne kemi pasur shumë raste për ngritjen e procedurave të tilla, sidomos të kryeredaktorit të një televizioni nacional, për të cilin edhe unë personalisht dhe për hir të së vërtetës edhe kolegët tjerë të mi, mendonim se ka gjuhë të urrejtjes, po asnjëherë nuk mblodhëm shumicë votash për ta dëshmuar atë”- potencoi Milaim Fetai nga Agjencia për Media.
Agjencia për Media, ka miratuar edhe planin vjetor për mbikëqyrje të programit të televizioneve dhe radiove publike dhe komerciale në pjesën e imitimeve të programeve muzikore dhe dokumentare nga produksionet vendore.
Radio-difuzerët publik dhe komercial, në bazë të nevojës për monitorim ditor ose javor, do të monitorohen nga muaji gusht deri në dhjetor dhe atë sipas përzgjedhjes së rastësishme të tyre.
MEFAIL ISMAILI
