Maqedoni

Propozim ligji për arsim të lartë, VMRO-DPMNE dorëzon 17 amendamente

13.04.2018 18:21

Propozim ligji për arsim të lartë, i cili ndodhet në procedurë, ka përplasur pozitën dhe opozitën në kuvend...

VMRO-DPMNE ka dorëzuar 17 amendamente për të intervenuar në tekstin e ligjit. Zekir Ramçilloviq nga grupi parlamentar i VMRO-së deklaroi se propozim-ligji ka një serë lëshimesh dhe si i tillë është i papërshtatshëm. Me amendamentet do të përmirësojnë zhvillimin e arsimit në vend, tha ai.
 
“Mendojmë se me pranimin e këtyre amendamenteve, ministrja do të dëshmojë kapacitete demokratike për dëgjimin e zgjidhjeve të cilat nënkuptojnë përmirësim dhe avancimin e zhvillimit të arsimit në Maqedoni. Amendamentet të cilat i propozon grupi parlamentar janë në drejtim të rritjes së buxhetit, që është i parashikuar për financimin e universiteteve dhe shkollave të larta profesionale të pavarura të cilat janë kyçe për zhvillimin e avancimit të veprimtarisë shkencore dhe arsimore”,- deklaroi Zekir Ramçilloviq nga VMRO-DPMNE.
 
Këto pretendime i ka hedhur poshtë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskovska. Sipas saj, një numër i madh i amendamenteve të opozitës janë me gabime teknike dhe përmbajtjesore.
 
“Ka amendament me të cilin kërkojnë që vulat e institucioneve të larta arsimore të jenë vetëm në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Dispozita, e cila është në ligjin aktual për arsim të lartë, është identike me dispozitën që është në propozim ligj dhe këtu nuk ka ndryshime. Ka dispozita me të cilat dëshirojnë të fshijnë ingerenca të dekanit për të shpallur zgjedhjet studentore të fakulteteve. Në periudha të caktuara kohore, në më shumë fakultete Parlamentet Studentore refuzojnë të shpallin zgjedhje me qëllim që të pamundësojnë sjellje legjitime të vendimeve në këshillat e profesorëve”,- tha ministrja e Arsimit, Renata Deskoska.
 
Sipas ministres Deskoska, bëhet fjalë për propozim ligj të konceptuar si tërësi dhe që ka dispozita të harmonizuara, dhe nëse si i tillë zbatohet, do të kontribuojë në cilësinë e arsimit të lartë.
 
NAIM RAMADANI