Siri, SHBA, Britania e Madhe dhe Franca filluan sulmet

14.04.2018 12:28

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë bombarduar objektiva të shumta qeveritare në Siri....

SHBA, Britania e Madhe dhe Franca kanë bombarduar objektiva të shumta qeveritare në Siri në një operacion në mëngjes herët duke synuar vendet e dyshuara të armëve kimike.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se ka urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar dhe Francën. Operacioni është në përgjigje të sulmit të dyshuar kimik, që ka ndodhur javën e kaluar në qytetin sirian, Duma.

Në fjalimin drejtuar kombit, të premten vonë, Trump tha se “masakra e fundit është një përshkallëzim i madh i përdorimit të armëve kimike nga një regjim shumë i tmerrshëm”. Sipas presidentit amerikan, qëllim i sulmeve është “të krijohet një pengesë e fuqishme kundër prodhimit, përhapjes dhe përdorimit të armëve kimike”.

Qeveria siriane ka mohuar se ka kryer sulmin kimik, i cili besohet se ka lënë dhjetëra njerëz të vrarë. Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se “nuk ka pasur asnjë alternativë praktike për përdorimin e forcës”. Ajo po ashtu tha se sulmet nuk kanë të bëjnë me ndryshimin e regjimit.

Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Rusia, aleate e Sirisë, paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve. Ajo lëshoi një deklaratë nëpërmjet ambasadorit të saj në SHBA, Anatoly Antonov, duke thënë se “veprimet e tilla nuk do të mbeten pa pasoja”.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, u tha gazetarëve se nuk ka raporte për humbje në operacion. Presidenti Trump tha se SHBA është e përgatitur ta vazhdojë këtë përgjigje derisa “regjimi sirian të ndalojë përdorimin e agjentëve të ndaluar kimikë”.