Soumalainen flet për ligjin e gjuhëve, shteti duhet të punojë me të gjithë qytetarët

14.04.2018 16:08

Ambasadorja e OSBE-së në largim, Nina Soumalainen, në një intervistë për MIA- n....

Ambasadorja e OSBE-së në largim, Nina Soumalainen, në një intervistë për MIA- n, trajtoi disa tema në mesin e të cilave edhe ligjin e gjuhëve dhe lirinë e mediave.

Duke pasur parasysh se qëllim primar i Misionit të OSBE-së është implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, e cila do të rrumbullakësohet me ligjin për gjuhët, ajo thotë se shteti duhet të punojë me të gjithë qytetarët, pa dallim të prejardhjes së tyre dhe shtoi se gjuha është çështje e rëndësishme në shtetet multietnike.

“Gjuha është faktor i rëndësishëm në një vend multietnik, i cili u mundëson të gjithë qytetarëve të jenë pjesë e shoqërisë. Në shoqëritë multietnike, çështjet gjuhësore trajtohen në mënyra të ndryshme. Për shembull, në vendin tim, Finlanda, kemi dy gjuhë kombëtare, finlandisht dhe suedisht. Aktualisht, më pak se 6% e popullsisë flet suedisht. Ne ishim pjesë e Suedisë deri në 1809, por për arsye historike dhe parimet nordike të bashkëpunimit, donim ta mbanim gjuhën suedeze si një gjuhë zyrtare. Vetë vendi dhe populli vendosin për të ardhmen, duke përfshirë çështjet gjuhësore. Nuk ka asnjë model të vetëm që zbatohet në të drejtën ndërkombëtare, por ju sigurojmë se Misioni do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri multietnike plotësisht kohezive” – u shpreh ambasadorja e OSBE-së në largim, Nina Soumalainen.

Ndërkohë sa i përket lirisë së mediave në Maqedoni ajo tha se situata ngadalë ka filluar të përmirësohet , duke shtuar se ai përparim,  tashmë është vërejtur në raportin e misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-së për zgjedhjet lokale vitin e kaluar, në të cilin, mes tjerash, ishte përmendur se mediuemt kanë raportuar në mënyrë të balancuar për pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, por megjithatë ekzistojnë ende  shumë çështje serioze. Si kritike i përmendi sfidat me të cilat përballet RTVM, mes të cilave edhe zgjidhjet kadrovike dhe pandëshkueshmërinë e veprave kriminale të kryera ndaj gazetarëve.

“Plotësisht të vetëdijshëm për nevojën e përmirësimit të sigurisë së gazetarëve, misioni ynë ka bashkuar forcat me Shoqatën e Gazetarëve dhe Ministrinë e Punëve të Brendshme me të cilët do të punojmë së bashku për të përmirësuar sigurinë e gazetarëve dhe për t’i dhënë fund mosndëshkimit të krimeve kundër gazetarëve” – shprehet Nina Soumalainen.

Sa i përket ligjit për shërbime mediatike audio dhe audiovizuale të cilat aktualisht janë diskutuar në Parlament, ajo pret që ndryshimet në ligj që do të miratohen nga Kuvendi do të jenë në përputhje me rekomandimet e dhëna në analizën e OSBE-së. Pastaj, zbatimi i duhur i ligjit do të jetë i një rëndësie të madhe. (Besim Abdullahu, TVM2)