Maqedoni
Naumovski, negociator i ri për emrin
23.07.2014 18:24
Ish-zëvendëskryeministri për Eurointegrime i Maqedonisë, Vasko Naumovski, është emëruar negociator nga pala e Shkupit...

Ish-zëvendëskryeministri për Eurointegrime i Maqedonisë, Vasko Naumovski, është emëruar negociator nga pala e Shkupit, për vazhdimin e negociatave për kontestin e emrit me Greqinë.
Naumovski, është caktuar në pozicionin e negociatorit të ri për kontestin e emrit, që deri tani kjo detyrë mbahej nga ish-ambasadori në Uashington dhe ministri i sapoemëruar i Mbrojtjes, Zoran Jolevski.
Presidenti, Gjorge Ivanov, priti në takim Zoran Jolevskin dhe Vasko Naumovskin, të dërguarin e mëparshëm dhe të ardhshëm të Maqedonisë për bisedimet që zhvillohen nën patronatin e OKB-së.
Naumovski, është negociatori i katërt i palës së Shkupit, që vjen në këtë detyrë që nga pavarësimi i vendit, kur edhe u shfaq problemi i kontestit të emrit me Greqinë. Ky emërim vjen edhe në prag të një vizite të paralajmëruar nga ndërmjetësi i OKB-së, Mathew Nimitz, në Athinë dhe më pas në Shkup, për të gjetur një zgjidhje për kontestin e emrit dhe për të përafruar qëndrimet e të dyja palëve.
AFRIM TANALLARI
