SHBA, Britania dhe Franca sulmuan Sirinë, Trump: Përdorëm fuqinë kundër barbarizmit
Presidenti amerikan Donald Trump së bashku me atë francez dhe kryeministren britanike...

Presidenti amerikan Donald Trump së bashku me atë francez dhe kryeministren britanike, kanë urdhëruar sulme precize ushtarake kundër Sirisë.
Në shënjestrën e bombardimeve u vendos arsenali kimik i regjimit të Bashar al Assadit, përbindëshi që vret njerëzit e vet siç e etiketon shefi i Shtëpisë së Bardhë, ndërsa sulmi shihet edhe si sfidë direkte e tij ndaj Putinit për mbështetjen e vrasjes masive të të pafajshmeve.
“Një forcë e kombinuar amerikane, britanike dhe franceze u kundërpërgjigjet këtyre sulmeve mizore me të gjitha instrumentet tona kombëtare, ushtarake, ekonomike dhe diplomatike. Ne jemi përgatitur të vazhdojmë derisa këto agjentë të armëve të ndaluara kimike do të ndalohen nga regjimi sirian” – tha presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.
Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, e konfirmoi përfshirjen britanike në fushatën ushtarake ajrore, duke thënë se se operacioni nuk kishte për qëllim rrëzimin e regjimit sirian, por pengimin e përdorimit të armëve kimike.
“Ne nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve kimike të kthehet në një normalitet brenda Sirisë apo dhe rrugëve britanike. Do të kishim preferuar një zgjidhje alternative, por në këtë rast, nuk ekzistonte një e tillë” – u shpreh kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May.
Pjesëmarrjen në operacion e konfirmoi edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Por pavarësisht kësaj, dy aleatët e Sirisë, Moska dhe Teherani kërcënojnë me shpagim. Presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar mbajtjen e një takimi urgjent në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai e ka cilësuar këtë hap si “akt të agresionit kundër shtetit sovran që po konfrontohet me terrorizmin”.
Ndërkohë ambasadori rus në SHBA paralajmëroi se sulmet e Perëndimit rrezikojnë të nisin luftën midis dy palëve. Nga ana tjetër presidenti sirian Bashar al- Assad tha se sulmet ajrore e kanë bërë Sirinë dhe popullin e saj më të vendosur se kurrë për të shtypur terrorizmin në vend. Ndërkohë shumë vende të botës kanë mirëpritur sulmin e SHBA-së dhe Aleatëve në Siri.
Në një deklaratë kancelarja gjermane Angela Merkel ka theksuar se operacioni ushtarak ishte i nevojshëm dhe i përshtatshëm për të ruajtur efektivitetin e ndalimit ndërkombëtar për përdorimin e armëve kimike.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-së Jens Stoltenberg ka theksuar se bombardimi i disa fabrikave ku prodhoheshin armë kimike dobëson fuqinë e Asadit në kuptimin e sulmit të serishëm më armë kimike. Sulmi ndaj Sirisë është mirëpritur edhe nga Turqia, e cila e ka cilësuar si të duhur. (Ardita Imeri, TVM2)
