Pakoja e ligjeve reformatore, sfidë për gjyqësor të pavarur

15.04.2018 14:14

Reformat në gjyqësi parashohin ligje me prioritet, dhe si të tilla ato duhet të përafrojnë....

Reformat në gjyqësi parashohin  ligje me prioritet, dhe si të tilla ato duhet të përafrojnë vendin drejt dyerve të Bashkimit Evropian .

Nga  shumica e ligjeve në fjalë varet edhe e ardhmja e gjyqësorit.  A do të funksionojë  si deri me tani me drejtësi selektive apo do te jetë drejtësi e pavarur e shqiptuar konform fakteve dhe dëshmive. Andaj ligjet reformatore në sistemin gjyqësor të cilat i miratoi kuvendi, mund të shkruhen dhe të votohen, por më pas të njejtat duhet edhe të implementohen.

Eksperti juridik Bekim Kadriu konsideron se për zbatimin e mirë të ligjeve nevojitet të funksionojë parimi i sundimit të ligjit.

“Ajo çka në RM mungon është zbatimi efektiv i ligjeve, zbatimi i ligjeve ashtu si janë. Ne në Maqedoni kemi problem me funksionimin e parimit të sundimit të ligjit. Ky është problem më i madh. Nuk është problem vetëm i miratimit të ligjeve. Ligjet miratohen. Kemi pasur edhe tani ligje, tani ka edhe ligje të reja, do të ketë ndryshime edhe plotësime me qëllim të përmirësimit të situatës por gjithsesi pasatj fokusi domosdoshmërisht vihet në zbatimin e përpiktë të këtyre ligjeve.” – tha eksperti juridik, Bekim Kadriu.

Në seancën e parë plenare pas koordinimeve të grupeve të punës mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së u miratua ligji për formimin e Agjencisë Teknike Operative dhe ligji për ndjekjen e komunikimeve.

Agjencia do të përfaqësojë organ të pavarur, ndërmjetësues dhe përçues të sinjalit mes operatorit celular dhe institucionit që kërkon masën e përgjimit. Të punësuarit e saj nuk do të kenë qasje deri përmbajtja e bisedave të përgjuara kurse drejtori do të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend dhe me Badenter.

Gjithashtu u miratua edhe ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve, i cili parashikon që identiteti i dëshmitarëve në hetime të dihet vetëm nga prokurorja e lëndës.Reformat ne gjyqësor janë pjesë e axhendës qeveritare, të inkorporuara në planin 3-6-9, dhe të gjitha do të duhet të votohen para  17 prillit, dita kur BE publikon raportin për të arriturat e Maqedonisë.

Ligjet reformatore janë përpiluar konform kërkesave të ekspertit Rajnhard  Pribe.Menjeherë  një ditë pas publikimit te raportit pritet që Shkupin zyrtar ta vizitojë shefja e për politikë të jashtme dhe isguri e BE-së Federika Mogerini dhe komisari për Zgjerim Johanes Han.

Miratimi i ligjeve është vetëm një hap para, sepse më pas nevojitet që ligjet të zbatohen edhe në praktikë.

Eksperti juridik Bekim Kadriu thotë se fillimisht nevojitet ndryshimi i veprimit dhe vetëdijes të të punësuarve në  sistemin gjyqësor, por edhe tek pushteti që të përmbahet nga vendimet e gjyqësorit.

“Pushteti shtetëror domosdoshmërisht të kuptojë se është nevojë e gjithë qytetarëve që të kemi drejtësi në shtet, që të kemi pushtet gjyqësor objektiv, që është i paanshëm, neutral. Të përmbahet pushteti nga ndërhyrjet e panevojshme mbi pushtetin gjyqësor. Kjo është e para dhe poashtu të mos ndikohet te vetë gjyqëstarët. Zbatimi i përpiktë i ligjit në drejtimin e zgjedhjes së gjyqëtareve, në drejtimin e kontrollit të punës së gjyqtarëve , përgjegjësisë së gjyqtarëve në njërën anë. Në anën tjetër, të punuarit në drejtim të ngritjes së vetëdijes tek vetë gjyqëtarët për funksionin që e kanë.” – u shpreh eksperti juridik, Bekim Kadriu.

Qeveria disa here ka potencuar se reformat janë komplekse por me rëndësi është zbatimi i tyre në prakikë përmes reflektimit në përditshmëri, përmes ndryshimit  të veprimit dhe sjelljes së gjykatësve, të punësuarve në Administratë, shërbimet e sigurisë, dhe të funksionarët e zgjedhur.

Kohë më pare për sabilizimin e situatës në gjyqësor filloi me punë Këshilli për Reforma  me në krye kryeministrin Zaev. (Naim Ramadani, TVM2)