KE më 17 prill shpall raportin e progresit, Maqedonia do të marrë vlerësim pozitiv
Komisioni Evropian më 17 prill do ta publikojë pakon për zgjerimin që vlerëson gjendjen...

Komisioni Evropian më 17 prill do ta publikojë pakon për zgjerimin që vlerëson gjendjen në shtetet që synojnë t’i bashkëngjiten bllokut të aleancës. Maqedonia, pritet të marrë rekomandim të pakushtëzuar për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.
Sipas informacioneve, raporti i Progresit për Maqedoninë për këtë vit, është njëri ndër më pozitivët që do të publikohet nga Brukseli.
Në raport thuhet se dëmi që është bërë gjatë viteve të kaluara nuk mund të rregullohet brenda natës por Maqedonia e ka tejkaluar krizën e thellë dhe reformat strukturale janë proces i komplikuar që mund të zgjasë.
Për përparim të mëtejmë, të rëndësishme janë realizimi dhe thellimi i procesit për zbatimin e reformave urgjente prioritare. Çështjet më kritike për të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor , si në raportet e viteve të kaluara por edhe në raportet e këtij viti, mbeten sundimi i së drejtës, krimi i organizuar dhe korrupsioni.
KE-ja në shumë raste e përdor shprehjen “shtete të kapura” për vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Administrata publike në vendet e rajonit mbetet e dobët dhe pak ose aspak nuk ka përparim në fushën e lirisë së shprehjes”, qëndron më tej në raport.
Raportet bilaterale edhe më tej janë pengesa kryesore në procesin e eurointegrimeve kurse, siç raportohet, në periudhën e kaluar nuk është arritur asnjë rezultat për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes fqinjëve. (Besim Abdullahu, TVM2)
