Maqedoni
“Mitmarrja”, Zaev kategorik: nuk kam marrë ryshfet
16.04.2018 16:28
Në Gjykatën Penale u mbajt seancë gjyqësore me dyer të mbyllura për rastin “Mitmarrja”, ku i akuzuar është kryeministri, Zoran Zaev...

Në seancë u dëgjuan të gjitha bisedat e siguruara me masa të posaçme hetuese si dhe SMS porosi.
Dëgjimi i këtyre bisedave në lidhje me këtë rast ka filluar seancën e kaluar pa praninë e opinionit.
Sipas Zaevit, në biseda absolutisht nuk ka asnjë dëshmi se ai ka marrë ryshfet, as në bisedat dhe mesazhet telefonike nuk dëgjohet se ka kërkuar mito, por, sipas Zaevit, bëhet fjalë për komunikime të rregullta të kryetarit të komunës me personin e dyshuar dhe të gjithë personat e tjerë, siç janë drejtorët e institucioneve, qytetarët që lajmërohen te kryetari i atëhershëm i komunës.
Ai shtoi se e ka ditur se çfarë përmbajnë bisedat dhe se në gjithçka është i pastër. Zaev tha se bëhet fjalë për një proces të montuar.
“Absolutisht nuk ka asgjë që është lidhur me tentimet që të jem si i dyshuar, si person që ka marrë ryshfet. Në të gjithë këto biseda kemi biseduar me zyrtarët komunalë me zotëri Nikollovin, si të përshpejtohet ecuria e punimeve, si kanë rrjedhur të njëjtat dhe të gjitha procedurat në të, me qëllimin final, që të përfundojë puna. Pra, këto kanë qenë të gjitha bisedat në suaza të normales, bëhet fjalë vetëm për përfundimin e objekteve, dëshmi për këtë është se objektet e caktuara tani kanë përfunduar. Prej asaj periudhe deri më tani askush nuk ka kërkua para apo ndonjë kompensim tjetër, kjo në vetvete tregon se bëhet fjalë për një proces të montuar kundër meje”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Avokatët e kryeministrit Zaev thanë se Gjykata e Apelit ende nuk ka sjellë vendim pas ankesës së Prokurorisë dhe nuk dihet nëse opinioni do të mund të dëgjojë videon e plotë, pjesë të të cilës janë publikuar në opinion dhe përdoren si prova në këtë procedurë.
Seanca e radhës për rastin “Mitmarrja” është caktuar për më 30 prill.
mNë këtë rast kryeministri Zaev ngarkohet se në cilësinë e kryetarit të komunës së Strumicës, nga biznesmeni, Ivan Nikollov, ka kërkuar ryshfet prej 163.924 euro, gjegjësisht nga 2 euro për metër katror tokë ndërtimtare në Strumicës, për të cilën Nikollov ka qenë i interesuar që të privatizohet.
FARIJE DAUTI BAKIJU
