Unioni i shoqatave të infermiereve kërkojnë koeficient më të lartë për orët e kujdestarisë
Infermieret, përfshirë dhe ato të stomatologjisë, akusheret dhe personeli teknik....

Infermieret, përfshirë dhe ato të stomatologjisë, akusheret dhe personeli teknik, kërkojnë përfshirjen e tyre në rritjen e koeficientit për kujdestari gjatë orëve të natës, që parashihet me aneks marrëveshjen që po negociohet mes Sindikatës së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë.
Kërkesat u parashtruan nga Unioni i këtyre shoqatave pas mbledhjes së sotme, ku u vlerësua se marrëveshja për ankesë është selektive, pasi parasheh rritje të koeficientit sipas orëve vetëm për mjekët, derisa infermieret do të paguhen për ndërrimin e natës.
“Kjo është një qasje selektive para së gjithash për një grup të caktuar të kuadrit, prandaj do të ishte i volitshëm vetëm nëse në nenin 216 të Ligjit për mbrojtje shëndetësore, ku thuhet se mbrojtja shëndetësore nga ana e mjekëve mundësohet me kujdestari, e njëjta të mundësohet edhe nga ana e infermiereve me anë të kujdestarive”,- deklaroi kryetarja e Unionit të gjashtë shoqatave të infermiereve, Gordana Beshliovska.
Unioni në fjalë, i cili, siç u tha, se numëron 5 mijë e 500 anëtarë, kërkesën e ka dërguar deri te Sindikata e Shëndetësisë, ndërsa kryetari i kësaj sindikate, Lubisha Karanfillovski, tanimë ka filluar bisedimet me Ministrinë e Shëndetësisë për nënshkrimin e aneks marrëveshjes kolektive.
Sipas përllogaritjeve të deritanishme për ndërrimet e natës, infermieret kanë marrë 215 denarë, apo 29% për orë, ndërsa me ndryshimin e paralajmëruar, përkatësisht me rritjen prej 65%, do të fitonin rritje prej 80 denarë, që, siç thonë nga unioni, është e papranueshme. (Gyltene Sinani, TVM2)
