Maqedoni

Zekiri: Toshta e tërhoqi Selën në turmë. Alimi: Një person me maskë orientoi turmën drejt Selës

16.04.2018 17:02

Aleksandar Janevski - Toshta i pari e ka kapur për dore liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën...

Aleksandar Janevski - Toshta i pari e ka kapur për dore liderin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selën, dhe e ka futur në turmën e tërbuar. Kështu ka deklaruar në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit deputeti i LSDM-së, Muhamet Zeqiri. Ai ka njohur edhe sulmuesin tjetër, Sasho Senkovin. 
 
“Unë dhe disa kolegë ishim në kabinën e përkthimit lart. E patëm mbyllur derën. Prej lart shihnim dhunën ndaj deputetëve. Atë që e pashë ishte se po hidhej gjithçka. Deputetët filluan të përgjaken. Edhe Sela po ashtu. Në një moment e kam parë se e kishte ulur kokën, pastaj e pashë se ishte përgjakur. E pashë se një person me jelek të lëkurës e kapi për dore dhe e tërhoqi nga turma. Ai person është prezent në sallë (Aleksandar Janevski Toshta). Pasi Toshta e kapi Selën, u afruan edhe disa për ta ndihmuar. Sasho Senkov i ndihmoi me disa të tjerë. E kam parë deri tek momenti kur e kanë tërhequr jashtë, pasi nga galeria kishim aq pamje”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Muhamet Zekiri.
 
Në seancën e sotme dëshmoi edhe Abdulfetah Alimi, pjesëtar i sigurimit të Kuvendit, i cili gjendet në paraburgim. Alimi tha se protestuesit hidhnin gjithçka që kishin para vetes dhe bërtisnin “kërkojmë gjak shqiptari”. 
 
“Zaevit i thoshin “je shpirt i shitur, shqiptar”. Shumica kërkonin gjak shqiptari. E kam parë një njeri afër Selës që më duket ishte polic. Luante nxehtë - ftohtë. Herë e qetësonte turmën e herë e nxiste. Ata që i kam parë në sallën e mediave janë dy persona. Ishte një person me maskë që tregonte me gisht se kush duhet të sulmohet. Ai e drejtonte turmën drejt Zijadin Selës. Thoshte: mbyteni shqiptarin. Më pyetën nga turma kush je ti. U thashë se jam nga sigurimi i Kuvendit, polic. Dëgjova duke thënë se “ky është shqiptar, s’është i joni”. Më goditën dy herë dhe e humba vetëdijen. Kolegu më kishte shpëtuar pasi u kishte thënë se “ky është i joni, s’është shqiptar”. Zijadin Sela ishte në anën time të majtë. Ia pashë vetëm kokën. Ishte bashkë me Rexhail Ismailin. Më thirri një kolege, Millunka, të shkoj në katin e tretë, e unë e kam kuptuar se më ka thënë se ai është i vdekur. Kam vrapuar lartë tek klubi i deputetëve dhe rrugës e kam takuar edhe kolegun, Vlladimir Stojkovin. Kur e pashë në atë gjendje mendova se ishte i vdekur. Ishte njëri më bluzë të bardhë, i cili e goditi Zijadin Selën me shqelm. Ai që e goditi kishte edhe bluzë në kokë. I thash atij djalit që e goditi Selën: lëreni njeriun se është i vdekur. Unë, Millunka, dhe Vlladimiri e dërguam Selën në bufenë dhe ia dhamë ndihmën e parë. Dikush ndërkohë e thirri mjekun, ndërsa kolegu im e mbante derën. Millunka i thoshte turmës se bëhet fjalë për një polic të lënduar. Askush nga të pranishmit nuk kishte guxim që ta largojë Selën prej aty fshehurazi. Prandaj e mora unë dhe e dërgova nga shkallët ndihmëse jashtë xhamit të bufesë. Ky djali, Antonio, më erdhi në ndihmë. Sela pyeste në maqedonisht “ku po më dërgoni”, edhe unë ia ktheva në maqedonisht “je në duar të sigurta”. Pastaj gjatë evakuimit, teksa shkoja nga shkallët ndihmëse, dëgjova disa zëra nga garazhi se “puna me Selën ende nuk ka mbaruar”. Sela më pyeti “ku jam”. Atëherë ia ktheva në shqip dhe i thashë “mos ke dert se unë jam Fetahu nga sigurimi”. Ai më tha “tërë jetën do jesh në mbrojtjen time. Po të vdes unë, do vdesësh edhe ti””,- pjesëtari i sigurimit të Kuvendit, Abdulfetah Alimi.
 
Nga të akuzuarit në sallë, Alimi e njohu Aleksandar Janevskin - të njohur si Toshta, si dhe Kire Gjorgievskin. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU