Balla: Shqipëria pret rekomandim për negociata
Komisioni Europian nesër do të rekomandojë hapjen e negociatave për Shqipërinë...

Komisioni Europian nesër do të rekomandojë hapjen e negociatave për Shqipërinë. Komisionerja europiane për politikën e jashtme, Federica Mogherini, do të vijë nesër në Tiranë me lajmin e mirë, ndërsa komisioneri për zgjerimin, Hahn, do ta zyrtarizojë nga Brukseli. Mogherini do të dorëzojë në Tiranë progres raportin e fundit të KE-së, ku përveç rekomandimeve pozitive për hapjen e negociatave, do të gjykohet edhe ecuria e reformave në Shqipërisë.
Kryetari i grupit të PS-së, Taulant Balla, akuzoi Bashën dhe opozitën se duan ta bllokojnë procesin. Balla i bëri thirrje Bashës që të mos lobojë kundër hapjes së negociatave.
Rekomandimi pozitiv do të zyrtarizohet nesër, megjithatë hapja e negociatave do të varet nga votimi në qershor nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare. Kundër Shqipërisë peshojnë akoma pozicionet e Francës, Gjermanisë dhe Holandës. Kryeministri, Edi Rama, ka në program një takim me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ndërsa nuk është fiksuar ende një takim me presidentin francez, Emanuel Macron. (Luljeta Ndoka, TVM2)
