Maqedoni

Raporti i progresit për Maqedoninë, Ruzhin: pozitive reformat e qeverisë Zaev; Selmani: përparimet nuk gjejnë zbatim në praktikë

16.04.2018 18:09

Maqedonia me marrjen e Raportit të progresit nga Brukseli për procesin eurointegrues mund të ndeshet me një vlerësim pozitiv...

Maqedonia me marrjen e Raportit të progresit nga Brukseli për procesin eurointegrues mund të ndeshet me një vlerësim pozitiv për fusha të caktuara, por nuk do të mungojnë kritikat, vlerësojnë analistët.
 
Analisti i çështjeve politike, Nano Ruzhin, thotë se pozitivisht do të vlerësohet përparimi në sundimin e së drejtës, mediat, kthimi i opozitës në kuvend, si dhe avancimi i bisedimeve për emrin. Ruzhin në listën e vlerësimeve pozitive rendit edhe miratimin e Ligjit për gjuhët edhe pse i njëjti nuk u dekretua nga Ivanov. 
 
“Do të theksohen disa parametra të rëndësishme për reformat që janë bërë në Maqedoni në këtë periudhë të shkurtër të qeverisë së re, e ato janë reformat që kanë të bëjnë me sundimin e së drejtës, liberalizmi i sistemit të informimit, kthimi i opozitës në parlament, si dhe përparimi në bisedimet midis Athinës dhe Shkupit. Do të jepen lëvdata të caktuara në raportet ndëretnike. Do të përshëndetet edhe miratimi i Ligjit për gjuhët, të cilin presidenti nuk e nënshkroi, por ekziston energji pozitive nga deputetët të njëjtin për ta miratuar”,- theksoi analisti i çështjeve politike, Nano Ruzhin.                       
                     
Ndërkaq, analisti i çështjeve politike, Bashkim Selmani, thotë se janë bërë ndryshime të cilat do të vlerësohen pozitivisht nga Brukseli zyrtar, por që akoma nuk janë të kapshme nga qytetarët. Ai midis tjerash thekson kritikat që do t’i jepen gjyqësorit si dhe mospërfilljen e shqiptarëve në sferën e sigurisë.
 
“Për sa i përket progresit pozitiv, nuk do të thotë se qytetarët e ndjejnë për arsye se të gjitha ndryshimet që janë bërë deri tash në aspektin legjislativ, qofshin reformat në drejtësi, po ashtu edhe momentet e tjera që kanë të bëjnë me çështjet e sigurisë, përsëri këtu elementi shqiptar pak është i prekur dhe është i anashkaluar dhe shpresojmë që në të ardhmen të gjitha këto ndryshime që janë bërë të paktën të gjejnë zbatueshmëri në praktikë. Sistemi gjyqësor në RM ishte i bllokuar dhe ishte buzë greminës dhe pa një reformë gjenerale dhe ritestim i gjithë atyre punonjësve gjyqësorë të cilët keqpërdorën detyrën e tyre zyrtare, ata jo vetëm që janë larguar nga detyra, por ata janë të avancuar dhe kjo nuk jep shpresa për një mirëqenie ose të drejtë funksionale, siç kërkojnë standardet europiane”,- tha analisti i çështjeve politike, Bashkim Selmani.                                           
 
Dy analistët konsiderojnë se kritikat do të shtrihen edhe në kapitullin e ekonomisë, ku do të kërkohet më shumë reforma në planin ekonomik dhe social. Nuk do të mungojnë as inkurajimet në planin ndëretnik.
 
Priten rezultate në luftën kundër korrupsionit, përshpejtimin e reformave në fushën e drejtësisë edhe krahas zbatimit të planit “3-6-9” dhe miratimit të ligjeve reformatore së fundmi në kuvend.
 
MERAL ISMAILI