Borisov: Integrimin në BE e mundësojnë marrëveshjet Kosovë-Serbi dhe Maqedoni-Greqi
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, nga Prishtina porositi Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë....

Kryeministri bullgar, Bojko Borisov, nga Prishtina porositi Kosovën, Serbinë dhe Maqedoninë se BE nuk pranon vende që kanë probleme me fqinjët, prandaj sugjeroi që Kosova dhe Serbia të zgjidhin problemet mes tyre, ndërsa të njëjtën ta bëjnë edhe Maqedonia me Greqinë.
Ai ftoi liderët e këtyre vendeve qe të mos shikojnë mbrapa, të shikojnë përpara dhe që në maj në Samitin e Sofjes të dëshmohet vendosmëria e popujve të Ballkanit perëndimor për t’u bërë pjesë e BE-së. “Ne nuk japim këshilla e as nuk guxojmë të japim këshilla, mirëpo në qoftë se nuk nënshkruhet marrëveshje me Serbinë, as Kosova e as Beogradi nuk do të jenë pjesë e Bashkimit Europian, tha Borisov.
“Të vazhdojë dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës dhe t’i japim mundësi BE-së të ofrojë afër vetes vende pa probleme. Shpresoj sinqerisht që midis Shkupit dhe Athinës të zgjidhen problemet. Ne me Maqedoninë dhamë shembullin e mirë. Ju jeni të detyruar bashkë me serbët t’i zgjidhni mosmarrëveshjet, atëherë Bashkimi Europian do ta shohë me sy tjetër pjesën tonë”,- deklaroi kryeministri i Bullgarisë, Bojko Borisov.
Nga ana tjetër, presidenti, Hashim Thaçi, vlerësoi se vendi i Kosovës është në BE, prandaj theksoi edhe përcaktimin e Kosovës për vazhdimin e dialogut me Serbinë.
“Kosova kërkon jo vetëm të vazhdojë dialogun me Serbinë, por të ketë një fqinjësi të mirë të pajtimit të paqes për Kosovën, Serbinë, por edhe për rajonin”,- u shpreh presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Thaçi njëherit theksoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe pret hapat e Brukselit në këtë drejtim.
Ndryshe, në Samitin e Sofjes, që do të mbahet më 17 maj, pritet të mblidhen liderët e 28 shteteve të BE-së dhe partnerët nga Ballkani perëndimor. Kosova për herë të parë merr pjesë si shtet, që është kundërshtuar nga Serbia me mospjesëmarrjen e saj. (Gyltene Sinani, TVM2)
