Maqedoni

Fejzi Aziri i sëmurë, anulohet rigjykimi për rastin “Monstra”

17.04.2018 14:20

Është anuluar për më 15 maj seanca e parë e rigjykimit për rastin “Monstra”, i cili udhëhiqet nga Prokuroria Publike Speciale...

I akuzuari, Fejzi Aziri, është shtruar në spital dhe e kishte të pamundur të paraqitet në seancë. 
 
“Mungesa e të akuzuarit, Fejzi Aziri, është e arsyeshme, pasi që ai është i hospitalizuar në Klinikën e Pulmologjisë në Shkup. Prej gjithsej 50 seancave gjyqësore që kemi pasur në të kaluarën për këtë rast, kjo është hera e parë që Aziri të mos jetë prezent në gjykim”,- deklaroi avokati i akuzuarve në rastin “Monstra”, Naser Raufi.
 
Prindërit e të vrarëve 6 vite më parë në liqenin e Smillkovës, kërkojnë që PPS dhe gjykata t’u sqarojnë nëse të akuzuarit ishin vrasësit, ndihmësit në vrasje, apo janë  akuzuar pa faj.
 
Ata këmbëngulin edhe për dekodimin e numrave telefonikë që ruhen si sekret shtetëror dhe të bëhen publike transkriptimet e bisedave për këtë rast, që më shumë herë lideri i LSDM-së, kryeministri Zaev, ka potencuar se ekzistojnë.
 
Ata kërkojnë që fajtorët e vërtetë, kushdo qofshin ata, të dalin para drejtësisë.
 
“Për shkak të gjendjes së përkeqësuar shëndetësore të prindërve të viktimave, kërkojmë nga të gjitha palët e përfshira t’i qasen me seriozet këtij rasti për të zbardhur njëherë e përgjithmonë të vërtetën për vrasjen e pesëfishtë. Nuk është me rëndësi medoemos një person të nxirret para fytyrës së drejtësisë, por ai person duhet të jetë kryerësi i veprës”,- tha avokatja e familjes së viktimave, Dafinka Ivanovska.
 
Vëllai i Fejzi Azirit, zëri i të cilit thuhet se dëgjohet në të ashtuquajturat “bomba të opozitës”, duke mirëkuptuar prindërit e viktimave që kërkojnë vrasësit e fëmijëve të tyre, gjithsesi porositi t’i kërkojnë fajtorët e vërtetë. 
 
“Unë i kuptoj prindërit që janë të frustruar, mirëpo nuk tolerohet fyerja dhe komentimi i njerëzve privatë. Sikur të më ishte dhënë rasti edhe unë të komentoja do të thosha: si nuk i kanë ardhur turp prindërve që t’i merrnin paratë prej shteti dhe për çfarë i kanë marrë këto para për fëmijët e tyre dhe përse nuk u angazhua Goran Naqevski të tregojë se i kujt ishte telefoni i cili prej agjentëve dhe çfarë fotografi kishte ai njeri”,- theksoi vëllai i Fejzi Azirit, Haki Haziri.
 
Prokurorët specialë janë të bindur se do të arrijnë të zbardhin misterin rreth vrasjes së pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012.
 
“Është i pakontestueshëm interesimi i madh për përcaktimin e saktë të së vërtetës në këtë rast, e cila mund të arrihet përmes një procedure të re gjyqësore. Në këtë drejtim unë u binda se Prokuroria Speciale Publike do t’i shfrytëzojë të gjitha resurset njerëzore, teknike dhe materiale për të arritur këtë qëllim”,- u shpreh prokurorja speciale, Fatime Fetai.
 
Rasti “Monstra” u rikthye në gjykim pasi që Gjykata e Lartë shfuqizoi aktvendimin e mëhershëm ndaj të akuzuarve dhe i liroi ata nga burgu derisa të përfundojë rigjykimi i lëndës. Dy prej të akuzuarve ende janë në arrati.
 
REXHEP QAMILI