Maqedoni

Takim Duraku – Reshitaj, thellohet bashkëpunimi në ruajtjen e mjedisit

17.04.2018 14:38

Maqedonia dhe Kosova do të bashkëpunojnë në ruajtjen e mjedisit jetësor...

Për këtë u zotuan gjatë takimit në Shkup ministrat e dy vendeve, Sadulla Duraku dhe Albena Reshitaj, duke paralajmëruar edhe nënshkrimin e një memorandumi për bashkëpunim, që pritet të ndodhë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive. 
 
“Ne na lidh natyra, prandaj biseduam për natyrën, këtu bën pjesë edhe mali Sharr. i cili në pjesën e Kosovës është shpallur park nacional, ndërsa në pjesën e Maqedonisë po punohet që të shpallet park nacional, ku do të jetë edhe një bashkëpunim ndërkufitar turistik. Biseduam edhe për çështjen e ujërave ku lidhemi si shtet me lumin Lepenc, biseduam për çështjen e ajrit dhe të gjitha gjërat që e tangojnë Ministrinë e Ambientit. Politikat tona do t’i harmonizojmë dhe do ta finalizojmë në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, me një memorandum që është propozuar nga ministrja e Kosovës”,- deklaroi ministri i mjedisit jetësor, Sadulla Duraku.
 
“Ne bashkërisht do të luftojmë sfidat, të mbrojmë mjedisin në të cilin jetojmë, të mbrojmë ajrin, të mbrojmë tokat, sepse kemi një mision të përbashkët, si ministri e mjedisit të zbehim sa më shumë kufijtë fizikë që na ndajnë, pasi ne çdo ditë e më shumë me të gjitha shtetet e zhvilluara po sfidohemi nga ligjet e natyrës dhe ndryshimet klimatike. Kjo na bën të kuptojmë se sa të parëndësishëm janë kufijtë kur është në pyetje shëndeti i qytetarëve, mirëqenia dhe cilësia e jetës së tyre”,- tha ministrja e mjedisit jetësor e Republikës së Kosovës, Albena Reshitaj.                                                                                         
Gjatë vizitës në Shkup, ministrja kosovare e ambientit u prit edhe nga zëvendëskryeministri, Hazbi Lika, dhe kryeparlamentari, Talat Xhaferi. Në këto takime theksi u vu te bashkëpunimi mes dy vendeve, duke theksuar se dy shtetet synim të përbashkët e kanë integrimin në NATO dhe BE, prandaj kësaj do t’i kontribuojë edhe thellimi i bashkëpunimit mes vendeve të rajonit.
 
GYLTENE SINANI