Maqedoni

Ndihma juridike falas, Ristovski: Synojmë të ndihmojmë më shumë njerëz

17.04.2018 15:46

Qytetarët nuk kanë njohuri për mundësinë e përfitimit të ndihmës juridike falas...

Projekti “Mbështetja e reformave të sistemit të ndihmës juridike”, synon përmirësimin e procesit të kërkesave lidhur me ndihmën juridike falas dhe forcimin e kapaciteteve të tyre për dhënie të ndihmës më cilësore.  Propozim ligji për  ndihmë juridike është kthyer pas leximit të parë, pas vërejtjeve të Odës së Avokatëve dhe Organizatave joqeveritare.
 
“Nuk ka pasur marrëveshje me Odën e Avokatëve se tarifa, e cila është e paraparë për veprimtari të caktuara, nuk them që është shumë e lartë si tarifë, por është shumë e lartë në pjesën e këtij lloji të ndihmës juridike. Qëllimi i këtij ligji nuk është që vetëm dhjetë persona të marrin ndihmë juridike, por qëllimi i këtij ligji është që një gamë e gjerë njerëzish të marrin ndihmë juridike, kurse buxheti i Ministrisë së Drejtësisë, në të cilin paguhet shërbimet, është i limituar”,- deklaroi zëvendësministri i Drejtësisë, Oliver Ristovski.
 
Nga Komisioni Europian bëjnë apel që institucionet shtetërore të angazhohen më shumë në këtë drejtim.
 
“Ky projekt është një kujtesë për ne, se shpeshherë ndihma juridike neglizhohet nga ana e kuvendeve dhe institucioneve tjera. Ata zakonisht merren me aspektet tjera të drejtësisë dhe pak e trajtojnë aspektin e mbrojtjes juridike për ata që kanë nevojë”,- u shpreh udhëheqësja e bashkëpunimit juridik nga KE, Hane Junker.
 
Projekti është i financuar nga ana e BE-së dhe i njëjti kap vlerën e 300.000 eurove. Zbatimi i projektit ka filluar gjatë fillimit të vitit, ndërsa  do të zgjasë deri në maj të vitit të ardhshëm.  
 
ERSAN PAJAZITI