Projektimet infrastrukturore publike, organizatat joqeveritare: Edhe qytetarët të konsultohen
Qytetarët duhet të përfshihen në konsultime para projektimit dhe gjatë ndërtimit të objekteve infrastrukturore....

Qytetarët duhet të përfshihen në konsultime para projektimit dhe gjatë ndërtimit të objekteve infrastrukturore publike, duhet të informohen për atë se si dhe ku harxhohen paratë e qytetarëve.
Këtë e kërkuan organizatat joqeveritare në konferencën rajonale të organizuar nga “Analitika tink-tenk”, në të cilën mori pjesë edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
“Mesazhi kryesor i hulumtimit është që në planifikimin e projektit duhet të jetë i kyçur publiku. Kur themi publiku nënkuptojmë ekspertët, sektorin qytetar, mediumet dhe sigurisht ata që janë më të prekur, janë banorët e atyre vendeve në të cilat planifikohen të bëhen investime të mëdha në projekte të mëdha infrastrukturore. Në Maqedoni deri tani ka pasur vetëm angazhim dhe gjithmonë projektet prezantohen pa debate publike edhe në fund kur kanë përfunduar publiku nuk ka pasur qasje”,- tha autorja e studimit për infrastrukturë në EJL, Sonja Risteska.
“Thashë që në Korridorin 10 të cilin e kemi bashkë ose e ndajmë me Serbinë kemi shembuj negativë, projekti është i dizajnuar keq, mund të shkaktojë rrëshqitje të tokës, por gjithashtu edhe që të realizohet janë bërë shpërngulje të cilat nuk janë të pranueshme. Po ashtu plani urbanistik është projektuar të kalojë nëpër mjedise të mbrojtura ekologjike. Pra, vende nëpër të cilat nuk duhet të kalojë”,- u shpreh përfaqësuesi i Organizatës joqeveritare serbe “Cekor”, Zvezdan Kalmar.
Sugarevski: Procedura të jetë transparente
“Është me rëndësi të jashtëzakonshme në çfarë mënyre ajo procedurë do të jetë në marrëdhënie me publikun, pra të jetë transparente, për këtë në pjesën më të madhe preokupimi im si ministër dhe i Qeverisë natyrisht është që ajo procedurë të jetë transparente dhe në sy të publikut, që qytetarët të jenë të informuar me atë se si rrjedh procedura, sa do të kushtojnë projektet e caktuara, sa të njëjtat do t’i kushtojnë Republikës së Maqedonisë”,- tha ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski.
Projektet infrastrukturore nuk do të shtyhen dhe për të njëjtat nuk do të ketë kosto shtesë nëse publiku është i përfshirë në marrjen e vendimeve me kohë, thanë pjesëmarrësit në këtë konferencë. (Farije Dauti Bakiju, TVM2)
