KE shpalli Raportin e progresit, Maqedonia merr rekomandim pa kusht
Maqedonia rikthehet në rrugën e integrimit europian...

Maqedonia rikthehet në rrugën e integrimit europian. Komisioni Europian i rekomandon Këshillit që të hap negociatat për anëtarësimin e Maqedonisë në BE. Eurokomisari, Johanes Han, tha se vendi ka shënuar progres të dukshëm në zbatimin e reformave. Komisioni thekson ndryshim pozitiv në mendimin politik-diçka që ka munguar në vitet paraprake, dhe që ishte pengesë në procesin reformues dhe në angazhimin serioz në zbatimin e reformave.
HAN: VENDET DUHET TË KALOJNË NË NJË NIVEL TJETËR
“Kam satisfaksionin t’u njoftoj që Komisioni njohu progresin e rëndësishëm që ka bërë ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Shqipëria, prandaj i propozon Këshillit rekomandimin për të hapur negociatat për anëtarësim me të dy vendet, njëkohësisht shënojmë se çfarë duhet bërë për të vazhduar progresin, për të mbajtur dhe thelluar momentin aktual të reformave. Tani i takon Këshillit që të vlerësojë dokumentet tona dhe vendet të kalojnë në një nivel tjetër”,- deklaroi komisioneri për zgjerim, Johanes Han.
Han përgëzoi Maqedoninë dhe Shqipërinë për këtë punë të suksesshme, por theksoi se nuk ka kohë për vetëkënaqësi, pasi procesi ende nuk është kryer. Sipas tij, raporti mbi të gjitha është shumë kritik, por pozitiv dhe optimist sa i përket Ballkanit Perëndimor.
“Është me rëndësi të theksoj se nuk ka një rrugë të shkurtë drejt BE-së. Dhe duhet theksuar se i gjithë procesi bazohet në merita”,- theksoi Han.
MOGERINI: BALLKANI PERËNDIMOR SË SHPEJTI NË BE
Ndërkaq, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogerini, tha se Ballkani Perëndimor është Europë dhe së shpejti do të jetë në BE, në një BE të fortë dhe të bashkuar, duke ndarë interesat dhe përgjegjësitë me vendet e rajonit në të mirë të të gjithë qytetarëve brenda dhe jashtë unionit.
“Vendet duhet të zbatojnë reformat dhe duhet të demonstrojnë rezultate konkrete. Jo sepse i kërkon Brukseli, por sepse qytetarët e rajonit i presin ato nga institucionet dhe lidershipi i tyre dhe ne kemi parë lidership të determinuar në këtë drejtim. Do të vazhdojmë ta mbështesim këtë punë përmes mbështetjes politike dhe asistencës së fokusuar financiare”,- tha përfaqësuesja e lartë e BE-së, Frederika Mogerini.
Mogerini theksoi se integrimi është një proces, ndërsa vendet partnere duhet të thellojnë reformat veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, të drejtat e njeriut, institucioneve demokratike dhe reformave në administratën publike, si dhe në zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën.
Sipas saj, Samiti i BE-së në Sofje, edhe pse nuk ka të bëjë me zgjerimin, është me rëndësi për rajonin. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
