Agjencioni i migracionit, mbështet mërgimtarët
Gjuha dhe kultura shqiptare, janë dy shtyllat kryesore që e mbajnë gjallë mërgatën shqiptare në të gjitha vendet ku ata veprojnë dhe punojnë.........

Gjuha dhe kultura shqiptare, janë dy shtyllat kryesore që e mbajnë gjallë mërgatën shqiptare në të gjitha vendet ku ata veprojnë dhe punojnë.
Por, kjo çështje ka edhe mbështetjen e Agjencionit për Migracion, i cili ka një bashkëpunim të mirë me organizatat, shkollat dhe xhamitë që funksionojnë në diasporë. Zëvendësdrejtori i Agjencionit, Osman Shukriu, thotë se në vazhdimësi dhe në bazë të nevojave, ne i furnizojmë me tekste shkollore dhe literaturë të gjuhës shqipe, të gjithë ato shkolla që funksionojnë në diasporë.
“Ne, me mundësitë që kemi, i furnizojmë të gjitha shkollat me tekste shkollore, të cilat i mbajnë mësim plotësues në gjuhën amtare në të gjitha kontinentet. Dua të theksoj bashkëpunimin që kemi me shkollën fillore “Kongresi i Manastirit”, ku mbahet mësimi dy ditë në javë për ruajtjen e gjuhës. Të jesh shqiptarë dhe të jetosh në Çikago dhe vende tjera të diasporës, është vështirë, kurse të lindesh në Çikago dhe të flasësh shqip, është edhe më vështirë dhe falë këtij bashkëpunimi që kemi ne si Agjencion me këto shkolla dhe me këtë e ruajmë gjuhën, kulturën dhe çdo gjë që është shqiptare”- deklaroi zëvendësdrejtori i Agjencionit për Migracion, Osman Shukriu.
Një pjesë e mërgatës shqiptare, të cilët kanë lindur jashtë Shtetit, ende kanë probleme me marrjen e shtetësisë së Maqedonisë, kjo çështje ka qenë edhe çështje problematike që është paraqitur në Konferencën e Agjencionit dhe Organizatave të Migracionit.
“Ne, kemi temë diskutimi edhe problemin e nënshtetësisë dhe për këtë qëllim i kemi ftuar të gjithë Organizatat nga gjithë kontinentet, për t’i shprehur të gjitha problemet që ata i kanë kur vijnë në vendlindje. Si tema diskutimi kemi ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, gjuhës dhe çështjet tjera kombëtare të mërgatës sonë, flas për të gjithë mërgatën”- theksoi zëvendësdrejtori i Agjencionit për Migracion, Osman Shukriu.
Gjatë kthimit të mërgatës për pushime verore në vendlindje, ata janë përballur edhe me probleme të natyrave të ndryshme, ku janë keqtrajtuar nga ana e policisë dhe doganierëve, por zëvendësdrejtori, Shukriu, thotë se me përfaqësimin e shqiptarëve në Polici dhe Dogana, këto probleme pothuajse plotësisht janë eliminuar. (Afrim Tanallari, TVM2)
