Botë

Mattis: Shqipëria, aleat i denjë i ShBA-së

18.04.2018 13:26

Sekretari i Mbrojtjes amerikane, James Mattis, deklaroi se Shqipëria është aleati i ShBA-së jo vetëm në uniformë, por në të gjitha aspektet dhe se gjithmonë do ta mbështesin....

Këto deklarata Mattis i bëri gjatë takimit me ministren e Mbrojtjes shqiptare, Olta Xhaçka. “Shqipëria ka treguar se madhësia e saj gjeografike ka shumë më pak rëndësi se sa angazhimi i saj në Aleancë”,- tha Mattis, duke shtuar se, si një aleate e vendosur Shqipëria godet më fort se sa pesha e saj.
 
Ministrja Xhaçka, në emër të Qeverisë shqiptare, falënderoi sekretarin Mattis për mbështetjen e pazëvendësueshme dhe të madhe që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë dhënë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, për të përgatitur ushtrinë për sfidat që paraqiten në mjedisin e sotëm të sigurisë. Ajo u sugjeroi zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes të shikojnë mundësinë që Shqipëria të shërbejë si vend kontakti në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sipas saj, një prani e ShBA-ve ose e NATO-s mund të ishte një demonstrim i qartë se ky rajon nuk është harruar nga aleatët.
 
“Në funksion të këtij projekti, - vijoi ajo, - ne jemi të gatshëm të vëmë në dispozicion bazat tona detare, kapacitetet tona tokësore, ajrore, në mënyrë bilaterale me ShBA-të ose në kuadrin e NATO-s”.
 
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, mirëpriti propozimin për ta parë Shqipërinë si një gjurmë për NATO-n në rajon dhe vlerësoi se ky propozim vjen në momentin e duhur nga një vend që ka treguar jo vetëm me shifra, por edhe me angazhime se është një aleat i denjë.