Maqedoni
Vdekshmëria e lartë tek foshnjat, Jovanovska: ishin raste të rënda klinike
18.04.2018 15:23
Klinika për gjinekologji ka hedhur poshtë zërat se në këtë klinikë po vdesin gjithnjë e më shumë foshnje të sapolindura për shkak të kushteve të këqija...

Pohojnë se 35 foshnje vërtetë kanë vdekur, por të gjithë duhet të dinë se në këtë klinikë sillen rastet e rënda nga e gjithë Maqedonia dhe bëhet fjalë kryesisht për bebe në fazën e hershme deri të mesme të shtatzënisë, pra për foshnje të paformuara tërësisht, për të cilat në të gjithë botën ekziston dilema morale nëse duhen animuar.
Drejtoresha e klinikës thotë se mjekët bëjnë të pamundurën të shpëtojnë çdo jetë foshnjeje, por kjo jo gjithnjë është e mundur.
Ajo ankohet se kuadri i nevojshëm për t’u përkujdesur me foshnjat e lindura para kohe mungon te të gjitha klinikat e vendit, pasi dhjetë vjet nuk ka pasur asnjë strategji në këtë drejtim.
“Kanë vdekur 35 fëmijë nga e gjithë Maqedonia. Ne jemi spitali i vetëm që pranojmë pacientë të tillë, bëhet fjalë për fryte ekstremisht të paformuara. Numri vërtet është i madh, por është më e vogël në krahasim me vitin e kaluar. Por, kjo nuk do të thotë që po ulet në mënyrë drastike. 10 vjet nuk ka pasur strategji për formimin e kuadrit të ri. Kuadri nuk formohet brenda natës. Ne kemi plan aksional, filluam me edukimin e kuadrit të duhur. Ai do të shpërndahet në të gjithë Maqedoninë dhe në klinikën tonë të pranojmë vetëm rastet e rënda. Në 70% të rasteve të vdekjes së këtyre 35 foshnjave në klinikën tonë, janë raste për të cilat në të gjithë botën ekziston dilema morale nëse duhet të animohen”,- deklaroi drejtoresha e klinikës për gjinekologji dhe akusheri, Viktoria Jovanovska.
