Maqedoni

Han ia dorëzoi Raportin kryeministrit Zaev. Han: momentumi i reformave duhet të vazhdojë. Zaev: të gatshëm për një hap të ri përpara

18.04.2018 16:15

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, zbriti në Shkup për t’ia dorëzuar personalisht Raportin e progresit kryeministrit, Zoran Zaev...

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Han, zbriti në Shkup për t’ia dorëzuar personalisht Raportin e progresit kryeministrit, Zoran Zaev, dhe, siç tha, për të festuar së bashku këtë moment pozitiv.
 
Ai tha se vendi kapërceu krizën politike dhe është kthyer në rrugën drejt BE-së, por ende nuk është arritur caku. Sipas tij, mbetet edhe shumë për të bërë.
 
“Pas planit 3-6-9, ju keni bërë shumë në miratimin e ligjeve, por tani e gjithë kjo duhet të zbatohet që qytetarët ta ndjejnë ndryshimin”,-theksoi Han gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin Zaev.
 
Nëse vendi tregon rezultate konkrete edhe në zbatimin e reformave, vendi mund të bëhet sërish model për rajonin.
 
“Kjo  nënkupton përkrahje tjetër për të hyrë në fazën tjetër të marrëdhënieve tona, kështu që ju lutem fokusohuni në zbatimin!”, – theksoi Han.
 
“Kemi reforma transparente por për t’u mbajtur ky ritëm. Nuk ka kohë për kënaqësi, momentumi i reformave duhet të vazhdojë, veçanërisht në tema të rëndësishme, siç është përmirësimi i pavarësisë në gjyqësi, ndryshimi nuk nënkupton vetëm ndryshimin e legjislativës, por edhe zbatimi solid që është me rëndësi për benifitin e qytetarëve dhe vendin”,- tha komisioneri për zgjerimin e BE-së, Johanes Han. 
 
“Ne jem të gatshëm për një hap të ri përpara”,- ishte i prerë Zaev.
 
Sipas tij, rekomandimi i pastër për fillimin e bisedimeve me BE-në në Raportin për progresin e RM-së është motiv i fuqishëm për një cak, siç tha, të vështirë por të arritshëm.
 
“Vendimi për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, në Samitin e ministrave, në qershor, është caku ynë i radhës. Qeveria e RM-së do t’i udhëheq reformat dhe proceset politike edhe më energjishëm në dy muajt e ardhshëm, që në qershor RM të marrë datën për fillimin e bisedimeve me BE-në. Jemi përcaktuar fuqishëm të gjejmë zgjidhje të qëndrueshme për reformat thelbësore edhe pas planit 3-6-9 dhe në bazë të Raportit të KE-së do të përcaktojmë plan të ri për dinamikën e reformave deri në fund të vitit 2018, i cili sipas të gjitha gjasave do të jetë i lidhur me zbatimin e asaj që kemi vendosur deri tani”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Komisioni Europian çmon rikthimin e opozitës në Kuvend dhe kontributin që ka dhënë për hartimin dhe miratimin e disa ligjeve reformuese.
 
Marrëveshja me Bullgarinë konsiderohet si një nismë pozitive, ndërsa përpjekjet për përforcimin e besimit me Greqinë janë inkurajuese.       
 
SHPËTIM NUREDINI