Maqedoni

Reformat në polici, Spasovski: punojmë të kthejmë besimin e qytetarëve; Sulmet ndaj gazetarëve, Selmani: fajtorët të nxirren para drejtësisë

18.04.2018 17:14

Procesi i reformave në polici, pjesë e Raportit të Progresit të KE-së, ka filluar...

Por, ky proces nuk nënkupton vetëm reformë ligjore në letër, por nënkupton një polici më afër dhe në shërbim të qytetarëve, pohon ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.  
 
“Integriteti i policisë do të thotë përgjegjësi, ndershmëri, përkushtim më të madh në punë. Integritet është edhe raporti ndaj qytetarëve dhe ndaj punës. Kjo gjë arrihet vetëm përmes përzgjedhjes me kujdes të kandidatëve të cilët hyjnë në MPB përmes trajnimeve të vazhdueshme të cilat duhet të ndërmerret dhe masave të kontrollit”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.
 
Në projektin trajnues për përforcimin e integritetit të punonjësve policorë, që organizohet nga MPB, Komiteti i Helsinkit dhe ShGM, gazetarët kërkuan më shumë siguri në punën e tyre. 
 
“Në dosjet e MPB-së dëshmitë që ekzistojnë atje janë shkatërruar, tani është shumë e vështirë që hetimi të nisë nga fillimi në kushte kur nuk ka dëshmi. Incidenti që ka ndodhur para dy-tre viteve nuk ka mënyrë se si të rikonstruohet ngjarja. Mendoj se MPB-ja duhet të gjejë mënyra që njerëzit të cilët i kanë sulmuar gazetarët të identifikohen, të mblidhen dëshmitë e nevojshme dhe ata të nxirren para drejtësisë”,- tha kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.
 
Sipas Selmanit, më herët rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë mbyllur në sirtarët e policisë pa arritur kurrë në prokurori.
 
Ai ka ftuar MPB-në të mos japë vetëm premtime, por të tregojë rezultate dhe ata që kërcënojnë gazetarët të dalin përpara drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU