MAQEDONI

Fshihen të gjithë të papunët që marrin honorare

24.07.2014 15:33

Për këta persona, përveç tatimit personal, punëdhënësit do të duhet të paguajnë edhe kontribute për sigurim pensionalo-invalidor dhe sigurim shëndetësor......

Agjencia për Punësim, nga 1 janari do t’i fshijë nga lista e të papunëve të gjithë personat që marrin honorar dhe ata që punojnë me kontratë në vepër ose kontratë autoriale, e të cilët kanë të ardhura vjetore më të larta se 12 paga minimale.

Për këta persona, përveç tatimit personal, punëdhënësit do të duhet të paguajnë edhe kontribute për sigurim pensionalo-invalidor dhe sigurim shëndetësor.

Kryeministri Gruevski, tha se vendimi për ndryshimet ligjore vjen pas shumë ankesave nga ana e qytetarëve të punësuar si honorarë.

“Kontrolluam në vendet e tjera në Evropë dhe konstatuam se 90 deri më 95% nga vendet, kanë situatë në të cilën paguhen kontributet për honorarët. Ne erdhëm në mendim se në këtë mënyrë do të barazohemi me vendet më të mëdha në Evropë dhe njëkohësisht do të shkurtojmë mundësinë që shumë njerëz të mos mund të marrin kontratë për kohë të caktuar të punësimit vetëm pse punëdhënësit e tyre duan të shmangin  pagesën e kontributeve”- deklaroi kryeministri,  Nikolla Gruevski.

Gjobat për mosrespektimin e këtij vendimi të Qeverisë, janë rritur edhe për personat e papunë që marrin honorarë ose punojnë me kontratë në vepër.

Gjobë 200 euro do të marrin personat e papunë që marrin honorar, ndërsa gjobë prej 500-1000 euro do t’i shqiptohet obliguesit për pagesën e kontributeve vetë atij, i cili nuk do ta dorëzojë në Fondin për Sigurim Pensional kontratën e tij të punës. (Florije Kamberi, TVM2)