Raporti i KE-së, Xhaferi: Duhet të punojmë në jetësimin e ligjeve
Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pas takimit me eurokomisionerin, Johanes Han....

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, pas takimit me eurokomisionerin, Johanes Han, në Kuvend deklaroi se pas marrjes së vlerësimit pozitiv, Maqedonisë i mbetet që të punojë fort në jetësimin e ligjeve të miratuara.
Që kjo të bëhet realitet, sipas Xhaferit kontribut do të duhet të japin të gjitha partitë politike që deri në qershor vendi të marrë datën për çeljen e bisedimeve.
“Unë besoj që subjektet politike të përfaqësuara në parlament do të reflektojnë kohëve në vijim për të gjitha nevojat që kanë në aspekt procedural të kryhen që të mundet edhe esencialisht vendi ynë të hapërojë drejt anëtarësimit të plotfuqishëm në unionin europian duke kontribuar në këtë formë hapjen sa më të shpejtë të bisedimeve”,- deklaroi kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi.
Komisioneri Han në takimin me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar që të jenë më aktivë në zbatimin e reformave në gjyqësi, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, që sa më shpejt të nisin bisedimet për anëtarësim në BE.
“Na presin punë shumë të rëndësishme, shumë përmbajtjesore, duke filluar që nga reformat në gjyqësi, lufta kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe zbatimi i të gjitha orientimeve që dalin nga Brukseli që ne sa më shpejtë të fillojmë negociatat për anëtarësim. Nga ne pritet që të jemi shumë më aktivë, jo vetëm si parti politike në pushtet, sepse punohet për të ardhmen e vendit tonë”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Nga Lëvizja Besa shprehen të gatshëm që të kontribuojnë në luftimin e krimit dhe korrupsionit në rast se nis procesi negociues për anëtarësim.
“Nëse në qershor fillojnë negociatat për anëtarësim, fillojmë me kapitujt 23 dhe 24, që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe sundimin e ligjit dhe ne pikërisht mendojmë se kjo është fusha ku ne më së shumti mund të ndihmojmë dhe do të jemi subjekti politik i cili do të jetë syri i qytetarëve që do ta ndalojë dhe të bëjë çmos të zvogëlohet korrupsioni brenda qeverisë”,- theksoi kryetari i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi.
Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët thonë se reformat që janë përshëndetur nga Brukseli nuk duhet të mbesin vetëm në letër, por të transformojnë rrënjësisht sistemin demokratik në vend.
“Edhe qeverisja e re BDI dhe LSDM le shumë për të dëshiruar në këtë drejtim dhe aspektet që përmenden edhe në Raportin e progresit, duhet të përmend, flitet për kapjen e shtetit nga partia, për fat të keq ky trend vazhdon edhe në këtë qeverisje, luftën e korrupsionit dhe le shumë për të dëshiruar. Me gjithë numrin e madh të proceseve gjyqësore, akoma nuk kemi një vendim të një dënimi për korrupsionin e ushtruar në RM”,- tha deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrija Rushiti.
Komisioneri, Johanes Han, gjatë takimeve nuk ka ndërhyrë në dialogun ndërpartiak në Kuvend, por nga shtëpia ligjvënëse thonë se hapi i ardhshëm pas marrjes së vlerësimit pozitiv do të jetë zbatimi i procesit të Zhan Monesë, që nënkupton vazhdimin e debatit midis të gjitha partive politike në favor të procesit eurointegrues. (Meral Ismaili, TVM2)
