Mogerini: Pas festës, përvishni krahët e kthehuni punoni! Zaev: Meritojmë të jemi pjesë e Europës
Festoni pak, por pastaj përvishni krahët dhe punoni në drejtim të zhvillimit të vendit...

Festoni pak, por pastaj përvishni krahët dhe punoni në drejtim të zhvillimit të vendit dhe zbatimit të procesit të reformave! Kjo ishte porosia kryesore e eurodiplomates, Federika Mogerini, pas takimit që pati me kryeministrin, Zoran Zaev. Sipas saj, Maqedonia pas një krize të gjatë politike është kthyer në shtegun e duhur dhe ka punuar në mënyrë intensive për të përmbushur detyrimet që ia ka dhënë KE. Por, Mogerini tha se vendin tani e pret një punë e madhe në drejtim të zbatimit të reformave, ndërsa për të përmbushur obligimet nevojitet angazhim i përbashkët i pushtetit dhe opozitës.
“I rekomanduam Këshillit të Europës që t’i filloni bisedimet. Pra, mund të festoni gjysmë dite, por pastaj të ktheheni dhe të punoni. Kjo nuk është vetëm e arritur e qeverisë, por e të gjitha institucioneve të qeverisë, e presidentit, por edhe e qeverisjeve lokale dhe qytetarëve të këtij vendi. Jam këtu për të dhënë këtë porosi, se qeveria e ka përgjegjësinë që t’i hapë dyert për pjesëmarrje të opozitës, por edhe opozita gjithashtu duhet të marrë pjesë në ndryshimet”,- deklaroi diplomatja e lartë e KE-së, Federika Mogerini.
Zaev tha se Maqedonia mbetet e përkushtuar për të realizuar qëllimet e saj strategjike, integrimin në strukturat euroatlantike, sepse një gjë e tillë do të përafronte standardin e qytetarëve të Maqedonisë me ato europiane.
“Qytetarët e Maqedonisë meritojnë të jenë pjesë e Europës, integrimet e RM-së në BE dhe NATO për qytetarët tanë, do të thotë zhvillim ekonomik, vende të reja pune, rritje të pagave dhe standard më të lartë të jetesës”,- theksoi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Mogerini gjithashtu pozitivisht vlerësoi përparimin e bërë në bisedimet me Greqinë, duke thënë se shpreson në zgjidhje sa më të shpejtë për emrin. (Ersan Pajaziti, TVM2)
