Në maj takohen dy qeveritë, Haradinaj: Kosova, gati rrugën deri në Bllacë

18.04.2018 19:12

Maqedonia dhe Kosova në maj do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive...

Maqedonia dhe Kosova në maj do të mbajnë mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive. Kryeministrat e dy vendeve u takuan në Shkup, në kuadër të samitit digjital, për të konstatuar se janë të interesuar për vazhdimin e partneritetit.

Në takim kanë dominuar kryesisht temat ekonomike, por edhe angazhimi për proceset eurointegruese, nismat rajonale, projektet infrastrukturore, bashkëpunimi politik dhe diplomatik.

Qytetarët e të dy vendeve tashmë presin zgjidhje të shpejtë për ndërtimin e autostradës Shkup – Bllacë, të cilën pala kosovare e përmbyll këtë vit.

“Në kuadër të këtij takimi, me Zaevit biseduam edhe për atë rrugën  e cila lidh Maqedoninë dhe Kosovën. Kryeministri Zaev tregoi se një përkrahje financiare për të filluar projektin e ndërtimit pritet që në një të afat të shkurtër të fillojnë punimet në pjesën e Maqedonisë, ndërsa ne këto punime i përfundojmë këtë vit”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj uroi Maqedoninë, e cila bashkë me Shqipërinë mori nota pozitive të përafrimit me BE-në në Raportin më të ri të progresit.

Sa i përket Raportit për Kosovën, Haradinaj e ka diskutuar me eurokomisionerin Hahn në Shkup, të cilit i ka kërkuar që  Kosova të përfshihet në liberalizim të vizave në afat optimal.

“E kam pyetur çfarë pëson pas Raportit për Kosovën dhe çfarë hapash priten për liberalizimin e vizave dhe a ka lajme të mira për Kosovën. Ai tha: jemi në kohe për këtë”,- u shpreh kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ia ka shprehur komisionerit Hahn përkushtimin e Kosovës që të rreshtohet me shtetet e Ballkanit Perëndimor në forcimin e paqes dhe bashkëpunimit reciprok, që të përshpejtohet rruga e Kosovës drejt BE-së. (Rexhep Qamili, TVM2)