Samiti digjital WB6, rajoni kërkon integrim në tregun digjital të BE-së

18.04.2018 19:32

Ardhmërinë e përbashkët do ta definojnë kapacitetet për t’i vjelë dobitë që sjell transformimi digjital...

Ardhmërinë e përbashkët do ta definojnë kapacitetet për t’i vjelë dobitë që sjell transformimi digjital, porositi eurokomisarja për ekonomi digjitale dhe shoqëri, Marija Gabriel, e cila po merr pjesë në Samitin digjital së bashku me përfaqësues të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Intensivisht po punohet për një agjendë digjitale dedikuar vendeve të rajonit, tha ajo.

“Qëllimi është që të sigurohet hap pas hapi transformimi digjital i shoqërive në Ballkanin Perëndimor. Këtë do ta arrijmë me zbatimin e qasjeve multisektoriale të cilat po përballen me sfidat që ndodhen para nesh, zhvillimin e shkathtësive digjitale, veçanërisht te gratë, zhvillimin e lidhjeve infrastrukturore, mobilizimin e administratës, qeverisë dhe përforcimin e sigurisë kompjuterike”,- tha eurokomisarja për shoqëri dhe ekonomi digjitale, Marija Gabriel.

Liderët dhe përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor nënvizuan rëndësinë e transformimit digjital për zhvillimin e rajonit.

“Maqedonia filloi të krenohet me agjendën digjitale që nga vitet 2005-2006. Ajo që është preokupimi kryesor i yni është se si të arrijmë deri te më së paku 30 nevoja ditore për shërbime ndaj qytetarëve të cilat do të duhet t’i marrin nëpërmjet internetit, duke u lidhur drejtpërdrejt me institucionet shtetërore”,- theksoi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.

“Si shtet, si qeveri, jemi të fokusuar në aspektin e teknologjive informative, zhvillimin e saj në vendin tonë dhe gjithnjë është e mirëseardhur ekspertiza e vendeve të tjera përreth nesh si partnerë, si ekspertë dhe do të donim që të na ndihmojnë që t’u bashkëngjitemi ekipit”,- theksoi kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

“Qeveria shqiptare për sa i përket agjendës së digjitalizimit dhe transformimit të shoqërisë ka vënë një shërbim publik, dhënien e 1300 shërbimeve që jepen në nivel qendror, mbi 500 prej tyre jepen nëpërmjet portaleve. Në Shqipëri mund të bëhen më shumë se 500 transaksione me institucionet online. 100% e procedurës së importeve bëhet online”,- tha zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi.

Në Ballkanin Perëndimor kemi një trend të mirë. Rritja procentuale në Europë për shfrytëzimin e internetit dhe celularëve të mençur është përafërsisht 2.6%, në Ballkan është 18%. Kjo do të thotë se po vetëdijesohemi për rëndësinë e digjitalizimit të të gjithë shoqërisë”,- theksoi kryesuesi i Këshillit të ministrave të BeH, Denis Zvizdiq.

“Digjitalizimi është i rëndësishëm për decentralizimin e qyteteve tona, shërbimeve tona dhe bashkëpunimit rajonal në nivel shtetesh”,- theksoi ministrja e ekonomisë të Malit të Zi, Dragica Sekuloviq.

Digjitalizimi pritet të sjellë përfitime konkrete për qytetarët në më shumë fusha, duke shkurtuar kështu kohën e pritjeve nëpër institucione dhe sportele për marrjen e shërbimeve. (Naim Ramadani, TVM2)