Familja Bejtullahu, ka nevojë të madhe për ndihmë
Për shkak të sëmundjes së kryefamiljarit, gjendja në familjen Bejtullahu nga fshati Orllancë, vazhdon të bëhet edhe më e rëndë........

Për shkak të sëmundjes së kryefamiljarit, gjendja në familjen Bejtullahu nga fshati Orllancë, vazhdon të bëhet edhe më e rëndë.
Tromboza dhe gangrena është shpërndarë edhe në këmbën tjetër të Bejtullahut. Kryefamiljari, harron veten duke menduar për familjarët, ai lodh kokën se si do t’i ushqejë pesë anëtarët kur nuk është në gjendje për të punuar.
“Njërën këmbë e preva, mirëpo edhe tjetra është problem, nuk është çudi dhe ka mundësi që edhe tjetrën do të duhet ta pres, këmba shihet si është, me shtaga nuk mund të ec, sepse nuk më mbajnë këmbët, nuk jam i aftë për të mbajtur familjen”- u shpreh kryefamiljari, Bejtulla Bejtullahu.
Si duket, të këqijat s’kanë të ndalur në familjen tonë, thotë Zhulijeta, ajo mezi arrin të flasë dy fjalë nga brenga që ka.
“Nuk mundet të punojë për shkak të këmbëve, fëmijët janë të vegjël, vështirë, rënde e kemi”- tha bashkëshortja e Bejtullahut, Zhulijeta Bejtullahu.
Djemtë, njëri 17 dhe tjetri 13 vjeçar, kanë gjetur një mënyrë për të fituar bukën, ata mbledhin shishe plastike.
“Fëmijët janë të vegjël, mundohen të shesin shishe plastike, me shishe plastike nuk fitohet, është shumë problem. Ka mundësi t’i fitojnë 300-500 denarë, ndonjëherë nuk ka hiç”- theksoi kryefamiljari, Bejtulla Bejtullahu.
Edhe pse burrat rrallëherë brengën e shprehin me lot, kryefamiljari Bejtullahu, këtë herë nuk mundi t’i frenonte, kjo dëshmon për hallin e madh që ka dhe nevojën për t’i ndihmuar. (Rina Turkeshi-Saiti, TVM2)
