Siri, sulmohet me armë ekipi i sigurisë i OKB-së
Një ekip sigurie i dërguar nga OKB është sulmuar me armë zjarri në Siri...

Një ekip sigurie i dërguar nga OKB është sulmuar me armë zjarri në Siri, teksa mbikëqyrte një prej zonave ku dyshohet se janë përdorur armë kimike përpara mbërritjes së hetuesve ndërkombëtarë.
Inspektorët e Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike ndodhen në Siri për të hetuar ngjarjen e 7 prillit, për të cilën vendet Perëndimore akuzojnë trupat qeveritarë se kanë përdorur armë kimike ndaj popullsisë.
Drejtori i përgjithshëm i Organizatës për Parandalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumçu, deklaroi se Departamenti i Sigurisë pranë OKB-së kishte vendosur të kryente një mision paraprak në dy zonat e qytetit të Dumës, përpara mbërritjes së ekspertëve që do të kryejnë ekzaminimet. Më herët, sekretari amerikan i mbrojtjes, Jim Mattis, fajësoi Qeverinë siriane se po vonon mbërritjen e inspektorëve në dy vendngjarjet, me qëllim pastrimin e provave përpara se të nisin hetimet.
“Jemi në dijeni të vonesave që regjimi po i shkakton delegacionit, por jemi gjithashtu në dijeni të praktikave të tyre në të kaluarën për të mbuluar atë që kanë bërë”,- tha Mattis.
