Maqedoni

Mogerini: Uniteti dhe bashkëpunimi me fqinjët, të nevojshme drejt BE-së

19.04.2018 12:16

Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë e sigurisë së BE-së, Federika Mogerini, doli me porosi të qartë...

Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë e sigurisë së BE-së, Federika Mogerini, doli me porosi të qartë, duke iu drejtuar deputetëve në kuvend që të punojnë në unitetin e brendshëm, por edhe me fqinjët, që Maqedonia të hapërojë sa më shpejtë drejt BE-së. Pas aktiviteteve dypalëshe të ndërmarra, Mogerini shpreson në gjetjen e zgjidhjes së emrit, ndërkaq fton të gjithë aktorët në vend që të zbatojnë reformat. Sipas Mogerinit, tani është koha të vrapohet për të ecur para.
 
“Porosia ime kryesore sot është: mbani të qartë rrugën që u solli në këtë ditë që ju mund të jeni krenarë duke marrë rekomandim pozitiv dhe të ktheheni aty ku duhet të jeni. Mos harroni të ndërtoni unitet pas krizës së thellë politike dhe institucionale që tani ka kaluar. Uniteti, përgjegjësia, pragmatizmi, një vizion i qartë për të ardhmen dhe inkurajimi, janë dhe duhet të jenë të patjetërsueshme. Jam e bindur se bisedimet tuaja me Greqinë mund të sjellin një zgjidhje të kënaqshme për të dyja palët. Ju keni potencial të ecni shpejt. Investoni në unitetin tuaj, investoni në institucionet tuaja demokratike, investoni në talentin e të rinjve tuaj, në kreativitetin e tyre, si dhe aspiratën për t’iu bashkangjitur BE-së. Është koha të vrapojmë. Të vrapojmë së bashku, bashkë me fqinjët dhe jam e bindur se mund të shkojmë shumë larg së bashku”,- deklaroi përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme e BE-së, Federika Mogerini.
 
Mogerini përshëndeti edhe kthimin e opozitës në kuvend. Sipas saj, rekomandimi pozitiv është meritë e qeverisë, por edhe e opozitës. Përgjegjësinë për të ardhmen e vendit duhet ta mbartin të gjithë njësoj, u shpreh Mogerini.
 
“Më vjen mirë që opozita është kthyer në kuvend. Jam krenare që t’u drejtohem të gjithë jush këtu. Besoj që edhe ju jeni krenarë dhe lëreni që kjo krenari t’u shpie në punën që ju pret, pasi që ju pret edhe shumë punë që duhet të kryhet. Puna që po bëjmë së bashku në rrugën eurointegruese është sikurse një video-lojë. Çdoherë kur ju arrini të kaloni një nivel, ju kaloni në nivelin tjetër dhe keni qëllime të reja. E rëndësishme është që loja mos të mbarojë, por të arrihen nivelet më të larta dhe shpërblimi i kësaj loje është përmirësimi i jetës së qytetarëve”,- theksoi përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme e BE-së, Federika Mogerini.
 
Mogerini përshëndeti edhe përparimet që janë bërë me fqinjët, duke vënë theks në marrëveshjen e nënshkruar me Bullgarinë. Përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme u shpreh e bindur se ky fokusim i Maqedonisë në rrugën europiane do të sjellë rezultate në qershor kur do të mbahet këshilli i BE-së dhe pret që Maqedonia të marrë datën për çeljen e bisedimeve. 
 
MERAL ISMAILI