Kulturë
Cineplex, premiera e filmit “Kthimi”, regjisor Kastriot Abdyli
19.04.2018 15:53
Repertuarit të filmave shqip prej 18 prillit iu shtua edhe filmi i metrazhit të gjatë “Kthimi”, premiera e të cilit u mbajt në kinemanë Cineplex në Shkup....

Filmi është realizuar në regji të Kastriot Abdylit, ndërsa trajton çështjen e migrimit, si dhe konfliktin mes tradicionales shqiptare dhe gjeneratës së re, e cila përzgjedh perëndimoren. Ky film tashmë zë repertoarin e kinemasë Cineplex, me dy termine të rregullta të prezantimit. Mes miqsh dhe artdashës, të cilët me shumë kënaqësi ndoqën premierën e filmit “Kthimi”, regjisori ndau edhe përshtypjet e para.
“Është kënaqësi e posaçme kur në kryeqendrën e Dardanisë, Shkup, bëhet një premierë e një filmi, sidomos filmit tim, pasi që kam nderin që të jetë filmi i parë shqiptar që bëhet këtu. Janë emocione shumë të mëdha. Sidomos jam emocionuar për shkak të interesimit të madh të publikut të njerëzve të cilët janë shumë të interesuar të vijnë dhe në pamundësi për t’i ftuar të gjithë, ju them që prej nesër filmi është në repertoar të rregullt të Cineplex-it”,- deklaroi regjisori, Kastriot Abdyli.
Rolet kryesore në film i luajnë aktorët: Selman Lokaj, Hazir Haziri, Delfin Depardje, Liridona Shehu dhe Safete Rugova. Ndërsa emocionin të pranishmëve në premierë ua shtoi pjesëmarrja në film e aktorit të mirënjohur shqiptar, Sefedin Nuredinit, i cili tanimë ka ndërruar jetë. Realizimi i filmit u mundësua me mbështetje financiare nga Fondi i filmit të Maqedonisë, Qendra kinematografike e Kosovës, dhe komuna e Çairit.
FJOLLA TELAI
