Protestë para Kuvendit derisa fliste Mogerini. Vishka: A mburret Europa me drejtësi selektive?

19.04.2018 16:17

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, para Kuvendit të Maqedonisë...

Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federika Mogerini, para Kuvendit të Maqedonisë u prit me parulla në anglisht “A e dini se kush është Almiri?” dhe “Pa drejtësi nuk ka qetësi!”.

Protesta u organizua nga Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin”, përmes të cilës protestuesit theksuan se prokuroria dhe gjykatat në vend vazhdojnë të ndajnë drejtësi selektive. 

“Erdhëm të pyesim Mogerinin, Hanin dhe të gjithë Unionin Europian, a është jodrejtësia me të cilën mburret Europa, a është kjo drejtësi që duhet të marrë nota pozitive nga Komisioni Evropian? Ne jemi këtu t’u tregojmë se ne si qytetarë të Maqedonisë  nuk jemi aspak të kënaqur, e jo që nuk është bërë asnjë lëvizje para, por është bërë vetëm lëvizje mbrapa. Reformën e parë që e bëri kjo qeveri ishte kryeprokurori i cili përsëri vazhdoi të thyejë ligjin dhe të praktikojë drejtësinë selektive dhe kjo duhet të mbarojë sa më shpejt”,- deklaroi Visar Vishka nga Iniciativa qytetare “Drejtësi për Almirin”.

Edhe familjarët e Almirit kërkojnë reforma thelbësore në sistemin e drejtësisë, të cilat u premtuan nga qeveria aktuale.

“Kemi ardhur këtu për të shprehur edhe njëherë mllefin për padrejtësinë tonë që na kanë bërë. Shpresojmë në reformat në gjyqësi që i premtoi garnitura e re e qeverisë. ku rasti i Almirit do të jetë model i reformave se do të ketë ose nuk do të ketë reforma në gjyqësi”,- theksoi halla e Almir Aliut, Resmije Aliu.

Familjarët, avokatët dhe mbështetësit e kësaj iniciative paralajmëruan se pasi të marrin aktgjykimin e gjykatës në formë të shkruar, do të paraqesin padi penale për kryeprokurorin Joveveski, prokuroren, Suzana Kusigerskën, dhe për gjykatësen, Maja Denkovskën.

Katërvjeçari, Almir Aliu, u shkel për vdekje me veturë nga Boban Iliq, pas një zënke banale para Urgjencës së qytetit të Kumanovës. Gjykata e Kumanovës, pas rikualifikimit të rastit nga ana e prokurores Kusigerska nga “vrasje” në “aksident trafiku me pasoja vdekjen”, e dënoi Iliqin me gjashtë vite burg, ndërsa me 6 muaj burg me kusht e dënoi edhe babanë dhe dy të afërmit e tjerë të Almirit të përfshirë në këtë incident tragjik. (Rexhep Qamili, TVM2)