Maqedoni

Mançevski: Transformimi teknologjik, prioritet i rajonit. Dimitrov: Së shpejti roaming më të lirë në rajon

19.04.2018 16:32

Transformimi teknologjik i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe digjitalizimi i plotë...

Transformimi teknologjik i vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe digjitalizimi i plotë i tyre është një ndër prioritetet kryesore të qeverive të rajonit, theksoi ministri i Shoqërisë Informatike, Damjan Mançevski, në përfundim të samitit dyditor digjital që u mbajt në Shkup. Sipas tij, kjo do të ndikojë në rritjen e vendeve të punës, pagave, përmirësimin e shërbimeve, industrive, arsimit, si dhe në zvogëlimin e korrupsionit.
 
Mançevski njëherit vlerësoi se Samiti digjital ku ishin të ftuar përfaqësues të shteteve të Ballkanit Perëndimor është edhe një dëshmi se ekziston vullnet politik në vendet e rajonit për të dëshmuar se vendi i tyre është në BE. 
 
“Nga Shkupi sot përcjell porosinë për dy samitet e radhës në Sofje dhe Londër se vendi ynë është në BE. Na pret shumë punë, por nëse ekziston vullnet politik, e më në fund ekziston, kjo do të arrihet. Samiti digjital është vetëm një nga dëshmitë për këtë. Me përfaqësuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, me bizneset, akademitë, së bashku janë definuar qëllimet e përbashkëta për transformimin digjital të rajonit. Jemi të gatshëm të punojmë dhe shfrytëzojmë mundësitë. Kemi dhënë premtimin se do të punojmë për uljen e çmimit të roamingut në rajon dhe me vendet e BE-së”,- deklaroi ministri i shoqërisë informatike, Damjan Mançevski. 
 
Agjenda e samitit është e lidhur me njërën nga gjashtë nismat e promovuara nga kryetari i Komisionit Europian, Junker, theksoi shefi i Diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, i cili shfaqi shpresë për rezultate konkrete që do të mund t’i ndjejnë edhe qytetarët.
 
“Hapi i ardhshëm në Samitin e Sofjes do ta lidh këtë përpjekje të rajonit së bashku me vendet anëtare të BE-së dhe shpresoj se do të ketë rezultate konkrete të cilat do t’i ndjejnë edhe qytetarët, mes tjerash edhe për shërbimin e roamingut”,- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.           
                           
Pjesëmarrësit në Samit theksuan nevojën e ndjekjes së trendeve më të reja në digjitalizim dhe se gjithnjë e më shumë interaksionet sociale, sjelljet, vendimet, mendimet dhe transaksionet janë të digjitalizuara dhe të rregulluara në platformë online. Në punimet e Samitit u hap edhe “Digital Expo 2018”, ku kompanitë vendore, por edhe ato rajonale dhe ndërkombëtare, kishin mundësi që të prezantohen para publikut dhe t’i prezantojnë mundësitë e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm digjital.
 
GYLTENE SINANI