Angjushev: Raporti i KE-së pasqyron realisht situatën ekonomike
Në Raportin e fundit të KE-së vlerësohet se ekonomia e Maqedonisë është mesatarisht e përgatitur...

Në Raportin e fundit të KE-së vlerësohet se ekonomia e Maqedonisë është mesatarisht e përgatitur për t’u përballur me konkurrencën në tregun europian. Përparim ka në funksionimin e ekonomisë së tregut dhe transparencës së financave publike, ndërsa probleme kryesore ende mbeten ekonomia e zezë, shkalla e lartë e papunësisë, mosrespektimi i marrëveshjeve dhe niveli i ulët i inovacioneve dhe investimeve.
Raporti i Komisionit Europian e pasqyron në mënyrë reale situatën në ekonominë e Maqedonisë dhe nëpërmjet planit për rritje ekonomike synohet të përmirësohet klima ekonomike, thotë zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev. Ai pajtohet me vërejtjet se duhet të merremi më shumë me ekonominë gri, e cila, sipas tij, është e pranishme në të gjitha segmentet e jetës, siç është shembulli tek prodhimet bujqësore dhe shitja e tekstileve.
“Duhet të luftohet ekonomia gri, e cila është e pranishme në të gjitha segmentet e jetës. Merrni si shembull produktet bujqësore, si ato janë blerë dhe si ato shiten në tregjet kuantike dhe si shpërndahen në tregje, e gjitha është jashtë sistemit financiar të Republikës së Maqedonisë dhe ne duhet ta luftojmë. Ne do të krijojmë aktivitete të caktuara në këtë drejtim, duke aktivizuar edhe bursën bujqësore”,- theksoi zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Komisioni Europian për rritje ekonomike afatgjate rekomandon kornizë buxhetore afatmesme, harxhimin e parave shtetërore në mënyrë racionale, përmirësimin e legjislacionit, rritjen e punësimit sidomos për gratë dhe të rinjtë. Me Ligjin për mbështetje financiare të investimeve, i cili është në procedurë parlamentare, kompanitë presin një mbështetje të re financiare nga arka e shtetit.
"Unë e ftoj opozitën nëse ka le të japë kritika konstruktive dhe të mbështesë ligjin, gjithçka tjetër është vetëm inat politik që nuk i jep të mira ekonomisë dhe qytetarëve të Maqedonisë. Me inat nuk është e mundur të shkosh në BE”,- u shpreh zëvendëskryeministri për çështje ekonomike, Koço Angjushev.
Të mërkurën do të shpallet thirrja publike ku kompanitë do të kenë mundësi të aplikojnë për mbështetje financiare me masat nga shtylla e tretë e panit të rritjes ekonomike. (Gazmend Kurtishi, TVM2)
