Vizita e Mogerinit, Tuntev: Sinjale se vendi po lëviz drejt BE-së

19.04.2018 18:04

Subjektet politike vlerësojnë mesazhet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederika Mogerini....

Subjektet politike vlerësojnë mesazhet e përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederika Mogerini, si një sinjal pozitiv drejt integrimit në BE. Koordinatori i grupet parlamentar të koalicionit të kryesuar nga LSDM, Tomisllav Tuntev, thotë se vlerësimet pozitive në raportin e KE-së janë sukses i rëndësishëm për Maqedoninë, e cila, sipas tij, pas krizës politike dhe izolimit është kthyer në rrugën europiane.

“Porositë që morëm nga përfaqësuesja e lartë për politikë të jashtme dhe siguri e BE-së, Frederika Mogerini, dhe dje nga komisari, Johanes Han, si dhe Raporti ekskluzivisht pozitiv për progresin e RM-së janë sinjal i qartë se vendi ynë po lëviz në drejtimin e duhur. Inkurajimin që morëm nga përfaqësuesit e lartë dhe rekomandimin e pastër dhe të pakushtëzuar për anëtarësim të plotë në BE janë mirënjohje për të gjitha përpjekjet e deritanishme dhe motiv shtesë për të vazhduar rrugën e reformave”,- deklaroi deputeti i LSDM-së, Tomisllav Tuntev.

VMRO: QEVERIA TË TEJKALOJË VËREJTJET NË RAPORT

Edhe VMRO-DPMNE konsideron se Maqedonia duhet të vazhdojë rrugën drejt BE-së deri në integrimin e saj të plotë dhe për këtë vendimtare është mbështetja e miqve nga BE, të cilët duhet të monitorojnë nga afër proceset dhe vullnetin e qeverisë që të punojë në tejkalimin e vërejtjeve të shënuara në Raportin e KE-së.                   

“BE i duhet Maqedonisë si mënyrë për të ngritur standardin e qytetarëve, cilësi më të lartë të jetesës dhe ndarjen e vlerave të përbashkëta. Në këtë drejtim, VMRO-DPMNE dha kontribut duke dhënë vërejtje thelbësore që u përfshinë në ligjet reformuese që u miratuan, duke u bazuar në interesat shtetërore dhe të qytetarëve”,- thuhet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së. (Shpëtim Nuredini, TVM2)